Analisti Agim Baçi, i ftuar në programin e drekës në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te situata brenda Partisë Demokratike dhe përplasjet mes lidershipit dhe ish-deputetit Ervin Salianji.

Baçi u shpreh kritik ndaj strategjisë së ndjekur për përjashtimin e Salianjit, duke theksuar se opozita duhet të kishte ndjekur një qasje më përfshirëse edhe me faktorët e tjerë opozitarë.

“Salianjin e kanë quajtur vetë hero dhe e kanë futur në Kryesi për këtë meritë si i burgosur politik. Do të ishte normale të kërkohej largimi i tij vetëm nëse do të kishte fakte konkrete për akuzat ndaj tij,” u shpreh ai, duke shtuar se në politikë vendimet duhet të bazohen në prova dhe akte publike, jo në pretendime.

Analisti theksoi se një përballje mes Salianjit dhe Sali Berishës nuk do të ishte e favorshme për këtë të fundit, pavarësisht rezultatit.

Sipas Baçit, Partia Demokratike duhet të shohë përtej individëve dhe të fokusohet në ringritjen e saj si forcë politike.

Në përfundim, Baçi theksoi se shpëtimi i Partisë Demokratike vjen përmes tejkalimit të egove dhe reflektimit të sinqertë për gabimet e së kaluarës, duke u kthyer drejt demokratëve dhe qytetarëve.

“PD është më e madhe se Sali Berisha. Koha në opozitë duhet të rifreskojë partinë, të krijojë ide të reja, një aleancë të re me qytetarët. PD e shpëton vetëm mundja e egos së Sali Berishës dhe të kthehet demokratëve duke pranuar çfarë nuk është bërë mirë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb