Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në Facebook, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të diskreditojë protestën qytetare dhe simbolikën e saj.

Berisha deklaroi se Rama “i urren të rinjtë” dhe se ka shpallur “algoritmin si bajlozin e zi”, ndërsa, sipas tij, merret me sulme ndaj blogerëve, influencerëve dhe pjesëmarrësve në protestë, në vend që të reflektojë mbi kërkesat e qytetarëve. Ai e akuzoi kryeministrin se ka sulmuar figura të protestës dhe madje ka tentuar të përbaltë ish-luftëtarin e UÇK-së, Tahir Sinani, vetëm sepse në protestë është valëvitur edhe flamuri i UÇK-së. Më tej, kreu i PD-së ironizoi përpjekjen e Ramës për të përdorur simbolin e flamingos, që është bërë identifikues i protestës.

Në përfundim, ai i bëri thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen.

“Sulmoi bloger dhe infuencerë, shpalli bajloz të zi algoritmin, merret me njollat e errëta, sulmon personazhe të protestë, apo shpall non grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmadinejad. Ndërkohë kur unë isha kryeministër, ai shkoi dhe udhëtoi drejt Iranit ku bëri foto me Ahmadinejad. Ai arriti që të përbalte një nga heronjtë e UÇK-së, Tahir Sinanin. Donte të përbalte UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë del dhe flamuri i UÇK-së. Njeriu që nga një anë përpiqet që të luftojë protestën, duke i vendosur në bluzën e tij flamengon apo ta vendosë në FB, por ai s’ka të drejtë morale. I them se; mund të stamposh në bluzën tënde Belindën, Agaçin, drogën e kokainën, kurrë flamengon. Herë tjetër i vendos ata në foton kryesore të FB duke besuar se kështu po bëhet më miqësor me ta. Rama, për ta mbyllur, jep dorëheqjen, pasi je armiku i të rinjve shqiptar. Je arrogant, cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: