Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, doli në një deklaratë për mediat pas takimit me kryeinspektorët e qarkut të Korçës, ku u ndal te problematikat kryesore që lidhen me sigurinë ushqimore, funksionimin e inspektoriateve dhe masat ndaj shkeljeve në treg.
Në lidhje me shqetësimet për produktet e skaduara dhe të falsifikuara në tregje, Sula bëri apel për bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar rëndësinë e raportimit në platforma zyrtare. Ai paralajmëroi ndërmarrjen e aksioneve të menjëhershme në terren.
“Nëse do kishit mundësinë që këtë informacion që keni ju, do duhet ta adresoni në platformë, ne reagojmë menjëherë. Ditën e nesërme, ne si inspektoriat i përgjithshëm, në disa subjekte të padeklaruara dhe të painformuara nga inspektoriatet e zonës këtu, do shkojmë bashkë me ta për inspektim. Ne kemi përzgjedhur edhe supermarkete, edhe linja prodhimi, për të qenë një inspektim i befasishëm, urgjent, i rrufeshëm për të parë nëse ka shkelje apo jo”, tha ai.
Sa i përket funksionimit të inspektoriateve, Sula mohoi që ato të jenë jashtë funksionit, por pranoi ekzistencën e problematikave. Ai solli në vëmendje rastin e fundit në Shkodër, ku janë marrë 15 masa disiplinore ndaj inspektorëve, përfshirë 10 shkarkime nga detyra, pas lejimit të hyrjes së misrit me aflatoksinë B1.
“Jo, nuk janë jashtë funksionit. Ka problematika pa diskutim. Unë kam ditën e 69-të në krye të inspektoriatit dhe ju bëj me dije se ndoshta një vendim para dy ditësh, kur ka marrë inspektoriati i përgjithshëm për rastin e Shkodrës, 15 masa disiplinore ku 10 prej tyre janë shkarkim nga detyra i inspektorëve, për shkak të hyrjes së misrit me afotoksinë B1 i cili është i dëmshëm edhe për kafshët. Unë i kam vendosur dhe për çdo rast sinjalizimi ne do ti ndëshkojmë. Ccdo masë administrative që ankimohet nga subjekti, ka dy rrugë, ose rri në fuqi masa e vendosur nga inspektimi, ose kjo masë shfuqizohet por me një kusht, në rast padrejtësie që fillon masë administrative për inspektorin”, tha ai.
Në lidhje me punësimin e paligjshëm, Sula theksoi se Inspektoriati i Punës do të intensifikojë kontrollet, duke nënvizuar se edhe një punonjës i pasiguruar përbën shkelje ligjore. Ai paralajmëroi një reformë të rëndësishme përmes digjitalizimit të sistemit të inspektimeve.
“Inspektoriati i punës është fusha që mbulon këtë fushë që ju keni shqetësim dhe me të drejtë. Nuk pretendoj që nuk ekzistojnë. Edhe sikur një biznes të ketë 5 punëtorë dhe një prej tyre të jetë i pasiguruar, është në shkelje të ligjit dhe nuk garanton sigurinë e punonjësit, i cili mund të ketë një incident të ndodhur gjatë punës, nuk përfiton nga e drejta që ka. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulin për të bërë inspektime çdo ditë. Mund të them që do vuajmë 6-7-8 muaj maksimumi pasi jemi duke përgatitur edhe sistemin e digjitalizimin, për gjitha fushat e inspektimit, që do të thotë do ta përzgjedhë sistemi subjektin në bazë të indikatorëve të riskut. Ju garantoj që inspektimi do pasurohet me të dhëna të reja, do bëhet e mundur që dhe inspektori të jetë i monitoruar me anë të një gps-i që mat lëvizjet ku ai shkon.”
Sa i përket sigurisë ushqimore, Sula vlerësoi bashkëpunimin me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, duke theksuar se vetëm javën e kaluar në Shkodër u bllokuan 110 kuintalë produkte të pasigurta. Ai nënvizoi rëndësinë e gjurmueshmërisë së produkteve, sidomos për mallrat e importuara që hyjnë në pikat doganore si Kapshtica,Qafë Thana dhe pikave të tjera në vend.
“Shumë e drejtë, besoj që e keni ndjekur këto 2 muaj që Znj Gjylameti është në krye të AKU-së, dhe unë si kryeinspektor i përgjithshëm, kemi filluar një valë inspektimesh që po jep rezultat. Javën e kaluar në Shkodër u bë e mundur bllokimi i 110 kuintalëve. Unë përsëri apeloj, ka të bëjë shumë kultura qytetare, pra ndjekja, vigjilenca e tyre, që duhet të sinjalizojnë inspektoriatin. Është shumë e rëndësishme gjurmueshmërja dhe për këtë arsye po përgatiten sisteme që do të ndjekin gjurmueshmërinë e produkteve, sepse nga 5 produkte në Shqipëri, 3 ose 4 janë nga importi, hyrja në pikën doganore të Kapshticës, Qafë Thanës dhe pika të tjera doganore në vend. Me anë të gjurmueshmërisë, do të dihet si ka hyrë, çfarë certifikatë sigurie ka dhe afati kohor.”
Në fund, ai u ndal edhe te hetimet për zjarrin në një pallat në Tiranë, duke bërë të ditur se janë dhënë urdhra urgjentë për kontrolle të thelluara nga institucionet përkatëse, përfshirë verifikimin e enëve me presion dhe standardeve të ndërtimit.
Autoritetet paralajmërojnë se aksionet në terren do të vijojnë intensivisht, ndërsa qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo rast abuzimi për të garantuar më shumë siguri në treg dhe në jetën e përditshme.
“Unë kam nxjerrë tre urdhra, një urdhër urgjent ditën që ndodhi ngjarja, ku IKMT dhe Inspektoriati shtetëror industrial, i cili mbikqyr enët e gazit, bombulat, enët në presion dhe elektrikën. Jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me prokurorinë e tiranës, i kemi vënë në dispozicion të gjitha gjetjet tona. Ditën e djeshme, u ccertifikuan 5 ashensorë në pallate të tjera dhe u bë e mundur të vihen në funksion, por ju garantoj dhe një përgjigje zyrtare shumë shpejt. Kam firmosur dhe dy urdhra të tjerë për inspektoriatin shtetëror industrial, një urdhër i rëndësishëm që do bëhet një kontroll i imtësishëm nëse në këto ambjente ka enë me presion që rrezikojnë jetën e qytetarëve apo subjekte që caktuara që mund të vendosin bombula gazi me fuqi të madhe. Edhe një urdhër i rëndësishëm për IKMT është për metodologjinë që do të ndjekin për pallatet e reja, të cilat janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër, për materialet që do të përdorin të cilat janë të certifikuara, kanë hyrë nga pikat doganore dhe të jenë të kontrollueshme. Ata pronarë të pallateve që kanë marrë lejë ndërtimi dhe nuk përfundojnë të gjitha punimet e tyre deri në fund, por i përfundojnë me atë të nënkontraktorëve që s’dihet se kush janë e që s’kanë përgjegjësi, dhe kur vjen akti i kolaudimet e firmos vetëm pronari i lejës por në një kohë që punimet i kanë kryer nënkontraktorët e tjerë, gjë që mund të kenë abuzuar për ta nxjerrë sa më lirë.”, përfundoi ai.
