Aktivisti i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, ka rrëfyer momentet e tensionuara gjatë protestës së fundit të opozitës para Kryeministrisë, duke pretenduar se është dhunuar nga forcat e policisë.
I ftuar në studion e News24, Kalaja tregoi se fillimisht ishte larguar nga protesta pas hedhjes së gazit lotsjellës, por më pas ishte rikthyer.
“Kur janë hedhur granatat e gazit jam larguar dhe më pas mendova të rikthehesha në protest. Kur erdha ishim jo më shumë se 30 persona. Policia ishte vendosur gardh, nuk kemi shfaqur rrezikshmëri, madje Luçiano Boçi hoqi edhe kundragazin dhe kemi mbajtur një deklaratë për mediat,” u shpreh ai.
Sipas tij, situata u përshkallëzua në momentin kur po ndihmonte deputetin Klevis Balliu.
“Kur po tërhiqja deputetin Klevis Balliu jam goditur fillimisht me skafandër në kokë. Në ato momente e kam tërhequr skafandrën se më goditi në fytyrë, kam marrë dy shkelma në pjesën e poshtme dhe jam goditur tre herë me spraj,” deklaroi Kalaja.
Ai shtoi se një nga goditjet me spraj i shkaktoi probleme serioze në shikim.
“Për fat të mirë kisha syze dhe nuk kam pësuar dëme të mëdha, por një goditje me spraj më dëmtoi më shumë në sy, ku humba shikimin për katër orë,” tha ai.
Kalaja rrëfeu se momenti më i rëndë ishte kur u godit nga pas.
“Goditja fatale ishte kur i ktheva shpinën policisë dhe u godita me skafandër. Kam ecur pak dhe kam rënë në tokë në pllakat e bulevardit. Kapa këmbën e një personi dhe i thashë ‘më ndihmo’,” tregoi ai.
Sipas tij, ndihma mjekësore ka ardhur me vonesë dhe fillimisht mendoi se do të dërgohej në QSUT, por më pas u transportua në Spitali i Traumës.
“Në ambulancë ishim shumë persona. Më vendosën një qafore për dëmtimet e pësuara dhe më pas, pasi bëra skanerin, u konstatua shembje pas koke, në qafë dhe në shpatull, pasi kisha mpirje të dorës,” u shpreh ai.
Kalaja tha se pas disa orësh trajtim në spital gjendja e tij u stabilizua, ndërsa rikujtoi se ngjarja ka ndodhur në një moment kur, sipas tij, protestuesit nuk përbënin rrezik.
