Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delphi-t, ku zhvilloi një bashkëbisedim me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini.

Duke folur për rajonin, kreu i qeverisë theksoi se Ballkani nuk është i lënë pas dore dhe ndodhet në një moment pozitiv.

“Nuk mendoj se Ballkani është i harruar, jemi në kohët më të mira,” deklaroi Rama, duke shtuar se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më afër anëtarësimit në Bashkimi Europian.

I pyetur për emigracionin dhe largimin e shqiptarëve gjatë viteve të fundit, Rama pranoi fenomenin, por e cilësoi atë si normal për një vend me histori izolimi.

“Nuk është shifër e saktë, por po, shqiptarët kanë vazhduar të largohen dhe mendoj se është normale për një vend që ka kaluar 50 vjet izolimi të plotë,” u përgjigj ai.

Në vijim, Rama përmendi treguesit ekonomikë, duke nënvizuar rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shtimin e investimeve të huaja dhe numrin rekord të turistëve që kanë vizituar vendin.

Gjatë intervistës, ai u pyet edhe për ndikimin e krimit të organizuar në Shqipëri, duke theksuar se drejtësia ka pavarësi të plotë për të vepruar kundër këtij fenomeni.

Kryeministri u ndal gjithashtu te marrëdhëniet me Greqia, të cilat i cilësoi shumë të mira, si dhe te çështja e pronave, përfshirë zonat ku jetojnë qytetarë të minoritetit grek.

“Problemi me pronën edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët shqiptarë në të njëjtat zona apo kudo tjetër. Është thjesht një problem shqiptar, që po e trajtojmë,” u shpreh Rama.

Ai vlerësoi edhe rolin e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, duke theksuar angazhimin e tij për këtë çështje dhe rëndësinë e një raportimi të saktë mbi realitetin në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb