Në një interpelancë të zhvilluar sot në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala paraqiti një panoramë të detajuar të reformave në sistemin onkologjik, duke theksuar se fokusi kryesor mbetet përmirësimi i shërbimit për pacientët dhe afrimi i tij pranë tyre.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se për vite me radhë shërbimi onkologjik në Shqipëri ishte i përqendruar pothuajse tërësisht në një strukturë të vetme, duke sjellë mbingarkesë, vonesa në trajtim dhe vështirësi për pacientët që detyroheshin të udhëtonin drejt Tiranës. “Problemi nuk ishte vetëm mungesa e burimeve, por edhe mënyra e organizimit të sistemit”, u shpreh ajo.
Sot, sipas saj, situata ka ndryshuar ndjeshëm. Shërbimi është organizuar në një strukturë shumë-nivelëshe, me qendrat kryesore në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin “Mbretëresha Geraldinë”, duke ofruar trajtim për diagnoza të ndryshme, përfshirë edhe kanceret gjinekologjike.
Ministrja bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë trajtuar mbi 21 mijë pacientë në Spitalin Ditor Onkologjik pranë QSUT-së, ndërsa çdo ditë marrin shërbim rreth 90 pacientë në kimioterapi dhe 140 në radioterapi. Koha e pritjes për biopsi dhe përgjigje histopatologjike është reduktuar në 2–3 javë, ndërsa trajtimet shpesh nisin brenda javës.
Një nga shtyllat kryesore të reformës është decentralizimi i shërbimit. Aktualisht funksionojnë 8 njësi kimioterapie në spitalet rajonale, ndërsa pritet hapja e një njësie të re në Fier, duke e çuar në 9 numrin e qendrave në të gjithë vendin. “Qëllimi është që pacienti të mos endet në sistem, por sistemi të organizohet rreth pacientit”, theksoi ministrja.
Në vijim, Evis Sala njoftoi planet për krijimin e Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe një rrjeti kombëtar onkologjik, i cili do të standardizojë trajtimin, do të unifikojë protokollet dhe do të reduktojë nevojën për lëvizje drejt kryeqytetit.
Ajo theksoi gjithashtu bashkëpunimin me Instituti Kombëtar i Tumoreve të Milanos, me të cilin janë miratuar 38 protokolle trajtimi sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe përfshirjen e mjekëve shqiptarë në diasporë në këtë proces.
Në aspektin financiar, ministrja bëri të ditur se buxheti për barnat për vitin 2026 arrin në 19.5 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme për barnat onkologjike. Ajo garantoi se aktualisht nuk ka mungesë barnash në QSUT dhe se nuk ka pasur rritje të çmimeve gjatë këtij viti.
Ndër investimet kryesore, ajo përmendi shtimin e kapaciteteve në kimioterapi, instalimin e një akseleratori të tretë në radioterapi dhe planet për pajisjen me PET CT në bashkëpunim me Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.
Sa i përket parandalimit, ministrja njoftoi zgjerimin e vaksinimit kundër HPV, tashmë edhe për djemtë, si dhe planet për futjen e analizave të genotipizimit për depistimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.
Sipas të dhënave zyrtare për periudhën 2015–2024, është ulur raporti vdekshmëri/incidencë nga 67% në 48%, ndërsa mbijetesa mesatare është rritur nga 33% në 52%.
Në përfundim, ministrja theksoi se sistemi shëndetësor nuk është ende perfekt, por është në një drejtim të qartë reformimi. “Në qendër të këtij transformimi nuk është politika, por pacienti”, u shpreh ajo, duke garantuar vijimin e reformave për një sistem më të aksesueshëm dhe cilësor.
Fjala e plotë:
I nderuar kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
E vlerësoj këtë interpelancë, sepse na jep mundësinë të flasim për një nga fushat më të ndjeshme të sistemit shëndetësor, kryesisht onkologjinë.
Dua ta them që në fillim: nuk do të përdor retorikë politike dhe as do të shmang përgjegjësinë. Sepse, kur flasim për kancerin, nuk flasim për statistika, flasim për njerëz, për familje, për kohë që shpesh është jetike.
Por, po aq e rëndësishme është që diskutimi të jetë i bazuar në fakte, të dhëna dhe në drejtim të zgjidhjeve, jo vetëm në perceptime e apo në rastin më të keq, dizinformim të plotë.
Sot dua ta strukturoj këtë përgjigje në tre pyetje të thjeshta: Ku ishim, ku jemi dhe ku po shkojmë?
Për shumë vite, shërbimi onkologjik në Shqipëri ishte i përqendruar pothuajse tërësisht në një strukturë të vetme, që krijonte një zinxhir problemesh që i njihni të gjithë:
- Pacientë që udhëtonin nga e gjithë Shqipëria drejt Tiranës.
- Mbingarkesë për mjekët dhe infrastrukturën.
- Vonesa në diagnostikim dhe trajtim.
- Dhe mbi të gjitha, një ndjenjë pasigurie për pacientin.
Problemi nuk ishte vetëm mungesa e burimeve, por mënyra si ishte organizuar dhe menaxhuar sistemi.
Sot kemi një realitet tjetër.
Shërbimi onkologjik është i organizuar në një strukturë shumë – nivelëshe, me një objektiv të qartë: ta çojmë shërbimin më pranë pacientit dhe ta bëjmë atë më të standardizuar në të gjithë vendin.
Në nivel terciar, shërbimi onkologjik ofrohet kryesisht pranë:
- Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të gjitha diagnozat.
- Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi” për kancerin e mushkerisë.
- Së fundmi, në kuadër të autonomisë menaxheriale po funksionon njësia e kemioterapisë pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, për një numër diagnozash gjinekologjike.
Si Ministre në pozicion dhe mjeke në profesion, dua të jem plotësisht transparente në argumentat e mia. Më konkretisht:
- Organizimi i shërbimit onkologjik bazohet në ekipe multidisiplinare, ku çdo pacient vlerësohet dhe trajtohet nga kirurgë onkologë, kimioterapeut, radioterapistë, onkogjinekologë dhe specialistë të imazherisë e anatomisë patologjike. Ky është një standard modern, që garanton vendimmarrje të koordinuar dhe cilësi më të lartë trajtimi me pacientin në qendër.
- Gjatë këtij viti, 35 staf mjekësor janë shtuar për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve.
- Vetëm gjatë vitit 2025, në Spitalin Ditor Onkologjik pranë QSUT janë trajtuar mbi 21 mijë pacientë, shifër e cila ështëe krahasueshme, se shumë qendra prestigjioze europiane. Çdo ditë marrin shërbimin e kimioterapisë rreth 90 pacientë, ndërsa në radioterapi 140 pacientë e në ortovoltazh 25 pacientë.
- Sa i përket kohës së pritjes: Biopsitë dhe përgjigjet histopatologjike realizohen zakonisht brenda 2–3 javësh, kohë kjo më e shkurtër se në shumë institucione mjekësore europiane.
- Ndërhyrjet kirurgjikale kryhen në intervale të ngjashme; konsultat dhe fillimi i kimioterapisë apo radioterapisë shpesh realizohen brenda javës. Këto janë intervale të kontrolluara dhe në përputhje me standardet e menaxhimit klinik europian.
Por, pikërisht kjo ngarkesë e lartë është arsyeja pse kemi ndërmarrë reformën e decentralizimit të shërbimit.
Sot, funksionojnë 8 njësi kimioterapie në 8 spitale rajonale të vendit, më konkretisht: në Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë e Vlorë. Së shpejti do të hapet edhe punkt i ri i kimioterapisë në Spitalin Memoral të Fierit, duke e çuar në 9 numrin e rajoneve ku sot ofrohet kimioterapia në shkallë vendi. Këto nuk janë thjesht ambiente fizike por janë shërbime të strukturuara, me staf të dedikuar dhe kapacitete reale trajtimi. Po marrim masa që të gjitha këto njësi të kimioterapisë së afërmi të kompletohen me KAPPA.
Të nderuar deputetë,
Ne po ndërtojmë një model të ri, një model ku pacienti nuk duhet të endet në sistem, por sistemi organizohet rreth pacientit.
Gjatë këtyre 7 muajve kemi punuar në disa drejtime:
- Po shkojmë drejt ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe rrjetit kombëtar onkologjik, të ngjashme me modelet më të mira europiane.
Instituti do të ofrojë shërbimin spitalor onkologjik, zhvillimin e kërkimit shkencor, si dhe ushtrimin e funksionit universitar në fushën e onkologjisë.
- Së pari, Instituti do të shërbejë si qendër kombëtare reference për onkologjinë, duke qenë përgjegjës për zhvillimin dhe përditësimin e standardeve profesionale, udhëzimeve klinike dhe praktikave më të mira në trajtimin e sëmundjeve tumorale.
- Së dyti, ai do funksionojë si institucion universitar dhe kërkimor-shkencor në fushën e onkologjisë, në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Mjekësisë si dhe me institucione të tjera të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor si brenda dhe jashtë vendit.
- Së fundmi, Instituti do të luajë një rol kyç si qendër koordinuese e Rrjetit Kombëtar të Shërbimit Onkologjik, duke siguruar bashkëpunimin funksional ndërmjet tij dhe strukturave onkologjike në spitalet rajonale dhe vendore.
Ndërkohë, Rrjeti Kombëtar i Sëmundjeve Tumorale do të përfaqësojë tërësinë e strukturave shëndetësore publike dhe universitare, të cilat ofrojnë shërbime për parandalimin, diagnostikimin, trajtimin, ndjekjen e sëmundjeve tumorale, si dhe kujdesin paliativ, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel rajonal.
Ky rrjet do të mundësojë:
- Standardizim të trajtimit
- Unifikim të protokolleve
- Shkëmbim informacioni dhe ekspertize
- Ulje të nevojës për udhëtime drejt Tiranës
Për hartimin e kësaj strategjie, kemi përgatitur një analizë të thelluar mbi shpëndarjen e sëmundshmërisë sipas rajoneve, kapacitetet në nivel terciar dhe rajonal, si dhe nevojat për investime në infrastrukturë pajisje dhe barna.
- Ngritja e nivelit të shërbimit, standartizimi i tij edhe në nivel rajonal.
Kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos për të unifikuar skemën e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Është bërë një punë intensive, me të gjitha shërbimet e QSUT. Me ekipin e mjekëve të Institutit të Tumoreve të Milanos, janë miratuar në Bordin e Tumoreve të QSUT 38 protokolle për trajtimin e tumoreve solide dhe hematologjike.
Dua të theksoj se, këto protokolle janë të harmonzuara plotësisht me praktikat më të mira ndërkombëtare në mënyrë që pacientët të marrin trajtim efektiv dhe bashkëkohor.
Gjej rastin të falenderoj mjekët tanë në diasporë që kanë dhënë kontributin e tyre te vyer në hartimin e këtyre protokolleve. Kontributi i tyre është i mirëpritur në cdo hap të reformës onkologjike dhe jo vetëm.
- Po forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar për të sjellë standarde dhe njohuri të reja në vend. Dhe mbi të gjitha, po ndërtojmë një strategji të re për tumoret për vitet 2026–2030. Kjo për të udhëhequr dhe koordinuar në mënyrë të integruar politikat në fushën e onkologjisë. Qëllimi është përmirësimi i parandalimit, diagnostikimit të hershëm, trajtimit cilësor dhe rritjen e mbijetesës së pacientëve në të gjithë vendin.
- Kemi rritur buxhetin për barnat onkologjike sidomos ato citostatike.
Buxheti i dedikuar për barnat për vitin 2026 është 19.5 miliardë lekë, nga të cilat vetëm për barnat onkologjike kemi një rritje prej 1.5 miliardë lek. Kjo rritje mundëson zgjerimin e mbulimit dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna. Lista e barnave onkologjike është zgjeruar ndjeshëm, ndërkohë buxheti i dedikuar për barnat onkologjike pritet të rritet sërish me 1.5 miliard lek përmes aktit normativ.
- Një prioritet tjetër i punës sonë është edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i sistemit me pajisje mjekësore.
Më lejoni të sjell disa shembuj:
- Kemi dyfishuar kapacitetet e kimioterapisë ditore në QSUNT. Po rikualifikohen 6 punkte të kimioterapive në spitalet rajonale dhe vitin e ardhshëm do të përfundojë rikualifikimi dhe për 6 njësi të tjera, me standarde bashkëkohore.
- Në radioterapi, kemi instaluar akseleratorin e tretë, duke e plotësuar shërbimin me 3 akseleratorë ndërsa ka nisur puna edhe për akseleratorin e katërt në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUNT. Gjithashtu, po punojmë që ky shërbim të pasurohet së shpejti edhe me brakiterapinë. Theksoj që gjithë ky investim plotëson tërësisht nevojat kombëtare për radioterapinë, konform standarteve europiane të trajtimit të pacientit.
- Në lidhje me PET CT, sikurse kam sqaruar edhe gjatë fazës së miratimit të buxhetit 2026, jemi duke punuar ngushtësisht me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike jo vetëm për blerjen e pajisjes, por për krijimin e një shërbimi, për trajnimin e ekipeve mjekësore, sepse kjo kërkon personel shumë të specializuar.
- Pranë shërbimit onkologjik është ngritur gjithashtu “Breast Unit”, një strukturë multidisiplinare që ofron shërbim të integruar për pacientët me kancer të gjirit, sipas standardeve europiane.
- Qasja ndaj kancerit nuk mund të kufizohet vetëm te trajtimi. Parandalimi dhe depistimi i hershëm janë hallka thelbësore, pa të cilat çdo strategji mbetet e paplotë.
Gjatë këtij viti kemi punuar edhe në drejtim të depistimit dhe parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, duke mundësuar futjen e vaksinës HPV 12 valente, e cila për herë të parë u shtri dhe tek djemtë.
Brenda vitit 2026 do përfshijmë edhe analizat e genotipizimit, për të depistuar kancerin e qafës së mitrës. Risia e kësaj analize është se testimi i kampionëve do të realizohet me anë të një ekzaminimi të vetëm, ku dedektojmë praninë e virusit HPV dhe njëkohësisht edhe grupin risk, duke u fokusuar minimalisht te tipet risk 16 dhe 18.
Pavarësisht bindjeve politike të gjithsecilit, rezultatet nuk maten me deklarata, por me tregues konkretë. Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Kancerit për vitet 2015 – 2024:
- raporti vdekshmëri/incidencë është ulur nga 67% në 48%;
- mbijetesa mesatare është rritur nga 33% në 52%.
- Vdekshmëria nga kanceri për moshën 30-69 vjeç ka shënuar një ulje me 5.6%.
Këto nuk janë thjesht shifra të izoluara. Janë prova konkrete që sistemi po funksionon më mirë: më shumë diagnostikim i hershëm, trajtim më efektiv dhe një organizim më i qëndrueshëm i shërbimit.
Të nderuar deputetë,
Në lidhje me çështjet e tjera të ngritura në këtë interpelancë, dua të jem e drejtpërdrejtë dhe plotësisht transparente e korrekte me çdo qytetar. Për sa i përket disponibilitetit të barnave po punojmë intensivisht në disa drejtime:
- Sot në QSUT nuk mungon asnjë bar.
- Rritja e buxhetit të dedikuar për barnat, veçanërisht ato onkologjike, nuk është thjesht një tregues financiar, por një angazhim konkret për të zgjeruar mbulimin dhe për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje për pacientët që kanë nevojë jetike për këto trajtime.
- Përmirësimi dhe unifikimi i protokolleve të trajtimeve onkologjike përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt standardizimit të kujdesit, duke mundësuar një planifikim më të mirë dhe një akses më të qartë, më të drejtë dhe më të barabartë të pacientëve në trajtimin me barna.
- Në mars të këtij viti, për herë të parë pas 12 viteve është ndryshuar metodologjia e përcaktimit të çmimit të barnave. Kjo do të sjellë disa përmirësime thelbësore si krijimi i kushteve për hyrjen ne vend të barnave të reja dhe ato inovative, që do të garantojë një furnizim më të qëndrueshëm dhe do të ulë riskun e mungesave. Pra, një treg më funksional dhe të qëndrueshëm farmaceutik.
- Në lidhje me çmimet e barnave dua të theksoj se nuk ka patur rritje gjatë vitit 2026. Përkundrazi, në disa raste ka patur ulje të çmimit, si rezultat i një metodologjie të përmirësuar, e cila bazohet në standardet europiane dhe në zbatimin rigoroz të legjislacionit në fuqi.
- Forcimi i sistemit të furnizimit dhe menaxhimit të barnave, përmes përmirësimit të planifikimit, rritjes së transparencës dhe monitorimit të zinxhirit të shpërndarjes, me qëllim shmangien e mungesave dhe disponibilitetit në kohë.
Këto masa, të marra së bashku synojnë të rrisin aksesin, të përmirësojnë cilësinë e trajtimit dhe të garantojnë që çdo pacient të marrë terapinë e duhur, në kohën e duhur dhe sipas standardeve më të mira.
Një tjetër çështje e prekur nga deputetët parafolës ishte shërbimi laboratorik.
Ky shërbim i ofruar nëpërmjet Partneritetit Publik – Privat, ka sjellë një ndryshim të dukshëm në standardin e diagnostikës laboratorike, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe gamën e analizave të disponueshme për qytetarët. Nga një paketë relativisht e kufizuar që ofrohej më parë me rreth 100 analiza në spitalet universitare dhe, edhe më pak në ato rajonale, sot ofrohen 164 analiza në mënyrë të unifikuar në të gjitha spitalet pjesë e kontratës.
Zgjerimi i gamës dhe standardizimi i shërbimit në 18 spitale publike përbën një hap të rëndësishëm drejt barazimit të aksesit dhe rritjes së cilësisë së diagnostikës në nivel kombëtar.
Sa i përket planifikimit të volumit dhe buxhetit, ka qenë ndërtuar mbi bazën e të dhënave historike të përdorimit të shërbimeve dhe projeksioneve të kërkesës, siç është praktika standarde për kontrata të tilla.
Megjithatë, është e kuptueshme që nevojat reale të popullatës janë dinamike dhe mund të tejkalojnë parashikimet fillestare në periudha të caktuara.
Pikërisht për këtë arsye, sfida nuk lidhet me mungesën e shërbimit apo të gamës së analizave, por me nevojën për përditësim dhe përshtatje të vazhdueshme të planifikimit financiar dhe volumetrik, në mënyrë që ai të reflektojë më mirë kërkesën reale në terren.
Është e rëndësishme të sqarohet për të gjithë qytetatët se shërbimi nuk ndërpritet në asnjë moment.
Kontrata parashikon një planifikim mujor të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital, bazuar në historikun dhe nevojat e parashikuara. Në momentin kur arrihet rreth 75% e këtij volumi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse, si një mekanizëm monitorimi dhe menaxhimi të përdorimit të shërbimit.
Në këtë fazë, shërbimi vijon normalisht, por prioritet i jepet analizave urgjente dhe atyre të domosdoshme për vendimmarrjen klinike. Kjo do të thotë se në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit.
Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje. Ky është një mekanizëm menaxhimi për të garantuar përdorim të kontrolluar dhe efikas të burimeve, pa prekur shërbimin thelbësor.
Në vijim, institucionet janë duke punuar për përmirësimin e planifikimit, në mënyrë që ky balancim të jetë edhe më i harmonizuar me kërkesën reale në terren. Në të njëjtën kohë, po forcojmë mekanizmat e kontrollit në spitale, për të siguruar një funksionim më të mirë të shërbimit.
Të nderuar deputetë
Është e lehtë të thuhet që sistemi nuk funksionon. Është me e vështirë të ndërtosh një sistem që përmirësohet çdo ditë.
Sot nuk jemi në një situatë perfekte dhe nuk pretendojmë këtë. Por jemi në një drejtim të qartë dhe kemi hedhur hapat konkretë për të kaluar nga një sistem i përqendruar dhe i mbingarkuar, drejt një rrjeti kombëtar më të drejtë, më të aksesueshëm dhe më cilësor.
Dhe në qendër të këtij transformimi nuk është institucioni, nuk është politika, por është pacienti.
Ky është standardi që kemi vendosur dhe ky është angazhimi që do të vazhdojmë të mbajmë.
Faleminderit!
