Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka reaguar lidhur me të dhënat e dosjes hetimore të SPAK-ut për ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, duke i quajtur detaje tronditëse.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj duke iu referuar dosjes së Prokurorisë së Posaçme shprehet se paratë e qytetarëve shqiptarë vidheshin nga ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj duke u fshehur në kuti vere.
“Paratë e shqiptarëve përfundonin tek drejtoresha, të fshehura në kuti vere. Në një rast, janë zbuluar 200 mijë euro”, shprehet Shehaj.
Shehaj thekson se këto elemente ngrenë dyshime se sa para të taksapaguesve shqiptarë mund të kenë përfunduar në portofolin e kryeministrit Edi Rama, për të cilin kujton se e mbrojti publikisht drejtoreshën e AKSHIt, Mirlinda Karçanaj si e pastrehë.
“Imagjinoni sa kanë përfunduar në kutitë e Ramës që u detyrua t’i mbronte publikisht e të na i ‘shiste’ si hallexhinj pa shtëpi”, shprehet Shehaj.
Ndërsa SPAK ka sekuestruar 3 apartamente të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, truall, një automjet luksoz si dhe dy llogari bankare të cilat dyshohet se i ka përfituar përmes korrupsionit.
Të dhënat janë në dosjen e SPAK e cila së fundmi ka sekuestruar pasuri me vlera marramendëse të personave në hetim në lidhje me dosjen e AKSHI-t që akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me në krye ish-drejtoreshën Karçanaj.
Postimi i Agron Shehajt:
Kuti vere të mbushura me euro!
Në dosjen e AKSHI-t, SPAK ka zbuluar skema tronditëse. Paratë e shqiptarëve përfundonin tek drejtoresha, të fshehura në kuti vere. Në një rast, janë zbuluar 200 mijë euro.
Imagjinoni sa kanë përfunduar në kutitë e Ramës që u detyrua t’i mbronte publikisht e të na i ‘shiste’ si hallexhinj pa shtëpi.
