Analisti dhe gazetari Lavdrim Lita ka bërë publike detaje të reja lidhur me hetimet për sekuestrimet e pasurive të Ergys Agasit dhe ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Lita deklaroi se hetimet janë nxitur edhe nga informacione të ardhura nga Britania e Madhe, lidhur me një skemë të dyshuar kontrabande cigaresh.

Sipas tij, autoritetet britanike kanë identifikuar se në Shqipëri operonte një qendër ku bëhej ambalazhimi i cigareve, të cilat më pas shiteshin në tregje si Malta dhe Turqia. “Britanikët kanë kërkuar hetim, pasi kanë konstatuar këtë aktivitet dhe kanë sinjalizuar autoritetet shqiptare”, u shpreh Lita.

Ai shtoi se gjatë hetimeve është zbuluar se një nga ortakët e fundit të kompanisë së përfshirë në këtë aktivitet ka qenë Ergys Agasi, çka ka çuar në sekuestrimin e pajisjeve dhe materialeve, përfshirë edhe komunikimet telefonike.

Sipas Litës, nga këto materiale janë zbuluar komunikime mes Karçanajt, Agasit dhe Ermal Beqirajt, të zhvilluara në një zyrë në zonën e Bllokut në Tiranë.

“Aty nuk flitej vetëm për cigare, por edhe për çështje të shtetit”, deklaroi ai, duke shtuar se në pamjet e siguruara shfaqen edhe persona të tjerë, përfshirë drejtues policie, përfaqësues të drejtësisë, biznesmenë dhe zyrtarë të administratës.

Lita ngriti pikëpyetje mbi rolin e ish-drejtoreshës së AKSHI-t në këto takime, duke theksuar: “Çfarë pune ka një zyrtare e tillë të frekuentojë një zyrë private dhe të diskutojë për tendera me persona të tjerë?”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb