Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk ka publikuar asnjë mesazh audio apo video që nga marrja e pushtetit, pasi dyshohet se është plagosur rëndë gjatë sulmeve ajrore izraelite më 28 shkurt, sipas një raporti të The New York Times.

Sipas burimeve iraniane të cituara nga gazeta, 56-vjeçari ka pësuar djegie të rënda në fytyrë dhe buzë, çka i vështirëson të folurit, ndërsa i është nënshtruar edhe disa ndërhyrjeve kirurgjikale në këmbë dhe dorë. Raportohet se ai është në pritje të një proteze dhe mund të ketë nevojë për kirurgji plastike.

Zyrtarët e lartë thuhet se shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me të, nga frika e gjurmimit dhe eliminimit nga Izraeli. Komunikimi me të realizohet përmes mesazheve të shkruara me dorë, të cilat transportohen përmes një zinxhiri korrierësh deri në vendndodhjen e tij të fshehtë.

Raporti sugjeron se një pjesë e madhe e vendimmarrjes në Teheran është deleguar te strukturat ushtarake, veçanërisht te Islamic Revolutionary Guard Corps, ndërsa figurat politike kanë rol më të kufizuar.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mungesa e një lidershipi të qartë në Iran po pengon përparimin e bisedimeve të paqes. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ekzistojnë përçarje të thella mes fraksioneve politike në Teheran, duke e bërë të paqartë se kush ka autoritetin për të negociuar.

Në këtë klimë pasigurie, SHBA ka zgjatur për një kohë të pacaktuar armëpushimin e përkohshëm, ndërsa pret një përgjigje zyrtare nga Irani lidhur me propozimin për kufizimin e programit bërthamor.

Zhvillimet e fundit tregojnë një situatë të brishtë në udhëheqjen iraniane, me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal dhe ecurinë e negociatave ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: