Milan po përgatitet për një verë plot pikëpyetje dhe vendime të mëdha. Pikat e sigurta në skuadër janë të pakta: në portë mbetet Mike Maignan, në mbrojtje Matteo Gabbia dhe Strahinja Pavlović, ndërsa në mesfushë pritet vendimi i Luka Modrić, me Adrien Rabiot që konsiderohet pjesë e projektit. Për pjesën tjetër, gjithçka mbetet e hapur.
Trajneri Massimiliano Allegri, pas takimit me drejtuesit Igli Tare dhe Giorgio Furlani, ka kërkuar përforcime të rëndësishme, ndërsa e ardhmja e disa emrave të mëdhenj është në dyshim.
Rafael Leão mund të largohet në rast ofertash të favorshme, ndërsa situata e Christian Pulisic është në ngërç: bisedimet për rinovim janë ndalur dhe interesimi nga Premier League po shtohet.
Në aspektin taktik, ndryshimet duken të pashmangshme. Allegri kërkon një sulmues qendror dhe një partner në repartin ofensiv, profile ku Leão dhe Pulisic nuk konsiderohen më zgjedhjet ideale. Emra të mëdhenj janë në listë: nga Robert Lewandowski te Dušan Vlahović.
Në mesfushë synohet përvoja e Leon Goretzka, ndërsa pritet edhe një përforcim në mbrojtje për të rritur cilësinë dhe stabilitetin.
Nga ana tjetër, merkatoja do të varet shumë edhe nga largimet. Christopher Nkunku është një ndër emrat që mund të sjellë të ardhura, së bashku me lojtarë të tjerë si Pervis Estupiñán dhe Ardon Jashari.
Verën e ardhshme nuk pritet një revolucion total, por ndryshime të rëndësishme në shtëpinë e “Djallit” janë të pashmangshme. Lajmi vërtetë i bujshëm është se te Milani i ri, as emrat më të mëdhenj nuk e kanë të sigurt vendin.
