Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në të gjithë vendin, me synim rritjen e sigurisë rrugore, duke përdorur mjete inteligjente si radarë për matjen e shpejtësisë dhe dronë për monitorimin e trafikut.

Sipas Policia Rrugore, masat janë forcuar si në akset kombëtare, ashtu edhe në zonat urbane, ku po verifikohen shkelje si drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, mosvendosja e rripit të sigurimit apo e kaskës mbrojtëse, si dhe parkimet e gabuara.

Gjatë një jave janë vendosur gjithsej 21,931 masa administrative në rang vendi. Po ashtu, janë arrestuar 36 drejtues automjetesh, prej të cilëve 22 për drejtim në gjendje të dehur dhe 14 pa leje drejtimi.

Në qytete, janë ndëshkuar 11,526 raste për parkim të gabuar, ndërsa në shumë raste janë përdorur edhe mjetet ngritëse për largimin e automjeteve që bllokonin korsitë apo trotuaret.

Në rrugët nacionale, 4,775 drejtues janë penalizuar për tejkalim të shpejtësisë. Ndërkohë, janë vendosur edhe:

NJOFTIMI
Drejtoria e Policisë Rrugore intensifikon masat për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Kontrolle me mjete inteligjente shpejtësimatëse dhe dronë.

Masa edhe për fundjavën, për parandalimin e drejtimit të automjeteve, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, në zbatim të porosive të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të ndryshuar mënyrën e kontrollit dhe të monitorimit të trafikut, kanë intensifikuar monitorimet në akset rrugore nacionale, duke përdorur mjetet inteligjente.

Kontrolle rigoroze edhe në qendrat urbane, për parkimet e gabuara, për drejtimin e automjetit, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për zhurmat e gjeneruara nga marmitat, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit dhe pasagjerët e motomjeteve, si dhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit apo mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, në vijat e bardha.

Si rezultat, përgjatë një jave, nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 21 931 masa administrative.

Janë arrestuar 36 drejtues automjetesh, 22 nga të cilët për drejtim në gjendje të dehur dhe 14 pa leje drejtimi.

Në zonat urbane janë vendosur 11 526 masa administrative për parkime të gabuara, ku në dhjetëra raste janë përdorur edhe mjetet ngritëse të Policisë së Shtetit, të cilat kanë hequr automjetet nga korsitë e dedikuara dhe nga trotuaret, pasi pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Në akset rrugore nacionale janë vendosur 4 775 masa administrative për shpejtësi tej normave të lejuara.

Janë vendosur 1 224 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 302 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 789 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 1 235 për parakalime të gabuara, 83 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe në gjendje të dehur, 139 për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane, si dhe 1 858 për shkelje të tjera të evidentuara gjatë monitorimeve.

Drejtoria e Policisë Rrugore, nisur edhe nga fakti që gjatë fundjavës ka fluks të shtuar në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike, ka marrë masa shtesë duke shtuar patrullimet në akset kombëtare dhe monitorimet me mjete inteligjente.

Në këtë kuadër, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen me mjete inteligjente të Policisë Rrugore dhe çdo shkelje e evidentuar do të ndëshkohet me masë administrative, e cila pasqyrohet në e-Albania.

Në rast nevoje dhe për çdo denoncim për shkeljet rrugore, telefononi në numrin pa pagesë 112.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: