Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, gjatë takimit me operatorët turistikë në Shkodër, ka evidentuar shqetësimet kryesore të ngritura prej tyre që dëmtojnë drejtpërdrejt zhvillimin e turizmit në zonë.

Nga infrastruktura e amortizuar dhe aksesi i vështirë rrugor, te zvarritja e projekteve si ura nga Velipoja në Ulqin, mungesa e guidave të certifikuara dhe e një strategjie për turizëm gjithëvjetor në Alpe, si dhe problemet me energjinë elektrike dhe menaxhimin e mbeturinave.

Ina Zhupa theksoi se pa ndërhyrje konkrete dhe zgjidhje për këto problematika bazë, potenciali i jashtëzakonshëm turistik i Shkodrës rrezikon të mbetet i pashfrytëzuar.

Statusi i plotë:

Takim me operatorët turistikë në Shkodër!

Shkodra, kryeqendra e veriut, mbetet një nga destinacionet me potencialin më të jashtëzakonshëm turistik në Shqipëri. Nga Alpet dhe Thethi, te Velipoja, Shiroka e deri te pasuria unike kulturore e historike. Por ky potencial po mbetet peng i problematikave serioze që sot operatorët turistikë i ndjejnë çdo ditë në punën e tyre.

Infrastruktura është një nga plagët më të mëdha. Rruga nga Tiranë në Shkodër vazhdon të jetë një skandal që ndikon drejtpërdrejt në aksesin dhe përvojën e turistëve. Ndërkohë, një projekt jetik si ura nga Velipoja në Ulqin, vetëm 380 metra, zvarritet prej shkurtit 2023 pa asnjë zhvillim konkret. Kjo nuk është thjesht vonesë, por pengesë reale për zhvillimin e turizmit rajonal.

Mungon një strategji e qartë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në Alpe. Rrugët drejt zonave turistike janë të amortizuara ose të pakalueshme, ndërsa rrugët e brendshme shpesh hapen dhe mirëmbahen nga vetë bizneset. Edhe shtigjet për guidat këmbësore janë të pamjaftueshme, duke kufizuar ndjeshëm ofertën turistike.

Një tjetër problem serioz është mungesa e guidave turistike të certifikuara dhe e kapitalit njerëzor të kualifikuar. Pa profesionistë të trajnuar, nuk mund të kemi shërbim cilësor dhe as përvojë dinjitoze për turistët.

Edhe kur turistët vijnë, ata nuk qëndrojnë. Mesatarja prej vetëm 2.5 ditësh në vitin 2025 është një tregues alarmant. Arsyeja është e qartë: mungojnë aktivitetet kulturore, sportive dhe artistike, si dhe mungon promovimi i historisë dhe trashëgimisë përmes storytelling, një element kyç për të krijuar lidhje emocionale me destinacionin.

Problematikat me energjinë elektrike janë të papranueshme për një zonë turistike. Tensioni që bie në 80 volt e deri 120 volt dhe përdorimi masiv i gjeneratorëve, vetëm të shtunën e kaluar në Theth u raportuan 73 të tillë, jo vetëm rrit kostot, por shkatërron përvojën turistike me zhurmë dhe pasiguri.

Ndërkohë, menaxhimi i mbeturinave mbetet një problem thelbësor. Rasti i bombës ekologjike të Bushatit është një alarm i madh. Ende mungon një strategji e qartë për grumbullimin, trajtimin dhe menaxhimin e tyre. Imazhi i qytetit dhe i gjithë zonës dëmtohet drejtpërdrejt nga kjo neglizhencë.

Shkodra ka gjithçka për të qenë një destinacion lider në rajon: natyrë të rrallë, trashëgimi kulturore të pasur, mikpritje dhe identitet unik. Por pa zgjidhur këto probleme bazë, ky potencial rrezikon të mbetet i pashfrytëzuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb