“Nuk jam dakord që të pandehurit të mbahen në kafaz”, kështu u shpreh ish-deputeti i PD Enkelejd Alibeaj në një intervistë në News24, ndërsa komentoi gjyqin e ish-presidentit Ilir Meta, të mbajtur këtë të hënë.
Gjithashtu gjatë intervistës, Alibeaj tha se gjykata në një çështje të tillë duhet të jetë e matur. Sa i përket qëndrimit të tij lidhur me kërkesën për të zhvilluar seancat live, ai u shpreh se spektaklet live nuk i shërbejnë askujt.
“Salla e gjyqit nuk është sallë dasmash. Duhet të jenë elementë të sigurisë. Një tjetër ekstrem është edhe spektakli politik dhe kam parë ngjyrime që politikanë që janë në procedim apo në gjyq duan ta shndërrojnë në spektakël, pra duan t’i flasin jo vetëm gjykatës, por edhe publikut. Është rrezik i madh për ta zhvendosur drejtësinë nga salla e gjyqit tek emocionet e publikut. Gjykata duhet të jetë e matur të bëjë drejtësi dhe transparencë, por spektaklet live do të ishin të tepërta sepse dëmtojnë perceptimin e publikut për drejtësinë”, theksoi ai.
