Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit energjetik në rajon gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Kryeministri, në kuadër të marrëveshjes mes Shqipërisë, Greqisë dhe SHBA-ve.

Gjatë fjalës së saj, Guilfoyle bëri të ditur se po firmosen dy marrëveshje të rëndësishme që synojnë forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e një të ardhmeje më të sigurt për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, këto zhvillime ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë energjetike dhe asaj kombëtare, duke nënvizuar se mirëqenia dhe begatia ecin paralelisht me zhvillimin e sektorit energjetik.

“Vënia në zbatim e këtij projekti dëshmon rëndësinë që i kushton qeveria shqiptare energjisë dhe rolit të saj në zhvillimin ekonomik,” u shpreh ambasadorja.

Ajo theksoi gjithashtu se Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë një mbështetës i fortë i sigurisë energjetike, duke e konsideruar atë një element kyç për forcimin e SHBA-ve dhe aleatëve të saj strategjikë. Sipas Guilfoyle, administrata Trump e ka vendosur bashkëpunimin energjetik si një shtyllë të rëndësishme në politikat globale.

Në vijim, ambasadorja vuri në dukje rëndësinë e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, si dhe lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo theksoi se dy vendet nuk janë vetëm fqinj, por ndajnë lidhje të thella njerëzore dhe një bashkëpunim ekonomik në rritje.

“Kur tre vendet tona punojnë së bashku, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor përfiton,” deklaroi ajo, duke shtuar se SHBA mbështesin një rajon më të sigurt energjetikisht dhe më të begatë.

Në përmbyllje, Guilfoyle nënvizoi rolin kyç të Shqipërisë në këtë proces, duke e cilësuar vendin si thelbësor për realizimin e vizionit të SHBA-ve për dominancë energjetike në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb