Një incident është regjistruar më 25 prill gjatë një shfaqjeje artistike në ambientet e Teatri Eksperimental Kujtim Spahivogli, ku një vajzë 12-vjeçare është dëmtuar gjatë një numri akrobatik.
Sipas njoftimit zyrtar nga Cirku Kombëtar i Shqipërisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 gjatë shfaqjes “Përrallat në Cirk”.
Menjëherë pas incidentit, stafi ka ndërhyrë duke i dhënë ndihmën e parë të miturës dhe duke organizuar transportin e saj drejt Spitali Universitar i Traumës për trajtim mjekësor.
Pas marrjes së ndihmës së nevojshme, vajza është larguar në banesë dhe ndodhet nën kujdesin e prindërve. Autoritetet dhe institucioni bëjnë me dije se gjendja e saj shëndetësore është e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.
Cirku Kombëtar ka shprehur keqardhje për ngjarjen, duke theksuar se po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Institucioni shton se ka ndjekur të gjitha procedurat e sigurisë dhe se mbetet në dispozicion të plotë për çdo hetim të mëtejshëm, ndërsa thekson se çdo aludim mbi ngjarjen është i pavend, pasi janë zbatuar detyrimet institucionale.
