Java e 33-të e Abissnet Superiore ka dhuruar disa rezultate mbresëlënëse dhe aspak normale për çdo kampionat. Katër skuadrat e fundit të renditjes, kanë siguruar fitore ndaj katër ekipeve që kishin më sipër në tabelë. Mund të duket si një rastësi e rrallë, por në fakt shifrat e fazës së katërt, tregojnë se “mrekullitë” nga ekipet e fundit të tabelës janë norma në Superiore  në këtë pjesë të sezonit.

Po të marrësh për bazë vetëm ndeshjet e fazës së katërt të kampionatit, rezulton se skuadra që ka bërë më mirë nga të gjitha, është Tirana, me 14 pikë. Një bilanc i jashtëzakonshëm që i ka mundësuar bardhebluve të ndryshojnë plotësisht fatin e tyre në këtë fazë, duke kaluar nga gropa e vendit të fundit, në pozita me komode e mundësi reale mbijetese edhe pa kaluar nëpërmjet play-out.

Por bardheblutë nuk janë të vetmit. Vora ka bërë 9 pikë, ndërsa Flamurtari e Bylis nga 8, me vetëm Elbasanin nga ekipet e kreut që ka bërë ndjeshëm më mirë se ata me 13 pikë, pasi Vllaznia e vendit të dytë, ka regjistruar vetëm 9 pikë.

Një anomali e qartë në 6 javët e fundit, ku ekipet që luftonin për “Final Four” si Dinamo, Egnatia e Partizani, kanë harruar shpeshherë si luhet futboll e kanë marrë vetëm “thërrime” aq sa po të merrej parasysh vetëm kjo fazë, do të ishin ata kandidatët kryesorë për të rënë nga kategoria.

Në total, në 6 javët e fundit, 4 skuadrat që mbyllin tabelën kanë siguruar 39 pikë, vetëm 1 më pak se të 6 skuadrat që kanë më sipër e që luajnë për objektiva më prestigjiozë.

Një situatë që nuk ndeshet në asnjë kampionat tjetër në botë ndaj hyn ndër ato që jo shpeshherë cilësohen si “mrekullitë” e rivalitetit të fortë të futbollit shqiptar.

RENDITJA FAZA 4
Tirana 14
Elbasani 13
Vora 9
Vllaznia 9
Bylis 8
Flamurtari 8
Dinamo 6
Egnatia 5
Teuta 4
Partizani 3

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: