Një nga sfidat më të nxehta të javës pritet të luhet këtë të shtunë në Durrës, aty ku Teuta do të presë Tiranën në një përballje që vlen shumë për fatet e sezonit. Dy skuadra me objektiva të ndryshme, por të bashkuara nga nevoja për rezultat, premtojnë spektakël dhe tension deri në fund. Një “déjà vu” i një sezoni më parë rikthehet sërish në skenë. Në javën e 33-të të kampionatit të kaluar, Teuta udhëtonte drejt kryeqytetit dhe dilte me tri pikë jetike falë golit të Mario Beshiraj, një fitore që në atë kohë vulosi matematikisht mbijetesën. Këtë herë skenari është i ngjashëm, por me një ndryshim të rëndësishëm. Durrsakët janë tre pikë përpara dhe një tjetër sukses do t’i afronte ndjeshëm me qetësinë e shumëkërkuar në dy javët e fundit.

“MISIONI TRI PIKË” – Në kampin blu nuk fshihet rëndësia e këtij takimi. Teuta e konsideron përballjen me Tiranën si një finale të parakohshme, ku vetëm fitorja bën punë. Tri pikët do të thoshin jo vetëm avantazh në renditje, por edhe një barrë më pak psikologjike për fundin e sezonit. Faktori fushë pritet të jetë një armë më vete për “djemtë e detit”, të cilët synojnë të shfrytëzojnë mbështetjen e tifozëve për të marrë maksimumin nga kjo përballje delikate.

Përgatitjet – Skuadra ka zbritur në fushë që në fillim të javës me një përqendrim maksimal. Seancat stërvitore kanë nisur nën drejtimin e përgatitësit atletik Mark Dodaj, i cili ka punuar për aspektin fizik dhe ritmin e lojtarëve. Më pas, trajneri Dobi së bashku me ndihmësin Hodo kanë kaluar në detajet taktike, duke kërkuar disiplinë dhe zbatim korrekt të skemave. Stafi teknik ka insistuar në përqendrim maksimal dhe shmangie të gabimeve, duke qenë se ndeshje të tilla shpesh vendosen nga episode të vogla. Atmosfera në skuadër raportohet pozitive, me lojtarët të ndërgjegjshëm për peshën e këtij dueli.

GRUPI I PLOTË – Lajmi më i mirë për stafin teknik vjen nga infermieria. Përballë Tiranës, Teuta pritet të zbresë në fushë me grupin e plotë, pa mungesa për dëmtime apo pezullime. Edhe Jazxhi, i cili kishte shqetësime fizike, është rikuperuar plotësisht dhe është vënë në dispozicion të trajnerit. Kjo situatë i jep Dobit luksin e zgjedhjes, me mundësinë për të hedhur në fushë formacionin më konkurrues. Brenda grupit ndihet një frymë optimizmi, ndërsa skuadra duket e karikuar maksimalisht për të arritur objektivin. Përballë do të jetë një Tiranë që historikisht mbetet një kundërshtar i vështirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: