Çmimet e naftës vijojnë rritjen edhe këtë të enjte, duke reflektuar përshkallëzimin e tensioneve në Gjirin Persik dhe pasigurinë në tregjet globale të energjisë. Një ditë pasi Shtëpia e Bardhë paralajmëroi për përgatitje të një bllokade shumëmujore ndaj porteve iraniane, çmimi i naftës Brent u rrit me 5.6%, duke arritur në 124.67 dollarë për fuçi, një nga nivelet më të larta të muajve të fundit.

Rritja e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me përshkallëzimin e konfliktit dhe bllokimin e përpjekjeve diplomatike për zgjidhje.

Irani ka kufizuar pothuajse plotësisht lundrimin në Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit, duke lejuar kryesisht vetëm eksportet e veta. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar bllokadën detare ndaj anijeve iraniane.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane bëri të ditur se Donald Trump është takuar me përfaqësues të kompanive të mëdha të naftës për të diskutuar mënyrat e zbutjes së ndikimit të një bllokade të zgjatur.

Në një deklaratë për Axios, Trump u shpreh: “Bllokada është më efektive sesa bombardimi. Ata po mbyten ekonomikisht dhe situata do të përkeqësohet edhe më shumë. Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore.”

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb