Një tjetër incident tragjik është shënuar në Brazil, ku një 59-vjeçare humbi jetën pasi ra nga një lartësi prej rreth 30 metrash gjatë një ecjeje malore me grup. Sipas mediave braziliane, viktima, Rosemary Suzart Garcia, po merrte pjesë në një aktivitet ecjeje në zonën Grutas do Spar, në Maricá, të dielën, kur aksidentalisht humbi ekuilibrin dhe ra nga një shkëmb.
Raportohet se Garcia kishte ndaluar në një shteg të ngushtë panoramik dhe po aplikonte ilaç kundër insekteve në këmbë kur ndodhi tragjedia. Dëshmitari okular Giovanni Maximino tha se guida e grupit tentoi ta shpëtonte duke i kapur dorën, por pa sukses. “Guida u përpoq ta mbante dhe për pak sa nuk ra edhe vetë. Lartësia është rreth 30 metra. Ajo sapo kishte mbaruar aplikimin e ilaçit kundër insekteve. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, deklaroi ai për mediat lokale. Sipas dëshmitarëve, 59-vjeçarja nga Rio de Janeiro ishte e pajisur me mjete mbrojtëse, përfshirë helmetë, doreza dhe pajisje të tjera sigurie, por ato nuk mundën ta shpëtonin nga pasojat fatale të rrëzimit.
Autoritetet lokale njoftuan se familjarët e viktimës u kontaktuan vetëm në orët e para të mëngjesit, pasi identifikimi dhe njoftimi i të afërmve rezultoi i vështirë. “Arrita të kontaktoj fëmijët e saj, të cilët jetojnë në Recreio dos Bandeirantes, vetëm rreth orës dy të mëngjesit për t’u dhënë lajmin. Deri atëherë nuk kishim kontakt me asnjë anëtar të familjes”, tha një nga personat e përfshirë në operacion. Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pas një tjetër tragjedie në Brazil, ku një 21-vjeçare humbi jetën pasi ra nga një lartësi prej rreth 40 metrash gjatë një kërcimi me litar në urën Ponte do Esqueleto, në shtetin e São Paulos.
