Banka amerikane JPMorgan Chase është përfshirë në një betejë ligjore pas akuzave të ngritura nga një ish-punonjës, i cili pretendon se është ngacmuar seksualisht nga një ekzekutive e lartë e institucionit, Lorna Hajdini.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë The New York Post, ish-punonjësi Chirayu Rana, 35 vjeç, pretendon se Hajdini ka tentuar ta detyrojë për marrëdhënie seksuale dhe e ka kërcënuar se do t’i dëmtonte jetën nëse nuk pranonte. Ai gjithashtu e akuzon atë për përdorim të fyerjeve racore ndaj tij dhe bashkëshortes së tij.
Nga ana tjetër, JPMorgan Chase i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se një hetim i brendshëm nuk ka gjetur prova që i mbështesin akuzat. Sipas bankës, shumë punonjës kanë bashkëpunuar me hetimin, ndërsa paditësi nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka paraqitur materiale mbështetëse.
Mediat raportojnë gjithashtu se Rana dhe Hajdini kanë qenë kolegë në ekipin e financave të leverazhuara dhe nuk kanë pasur marrëdhënie hierarkike mes tyre. Disa burime pranë ekzekutives i kanë cilësuar akuzat si të pabazuara dhe dëmtuese për reputacionin e saj.
Deri më tani, Lorna Hajdini nuk ka reaguar publikisht lidhur me çështjen.
