Bylisit i kanë mbetur edhe tri javë deri në fund të sezonit, me dy ndeshje në transfertë dhe një në shtëpi, por përballja me shkodranët, e cila zhvillohet të shtunën në “Loro Boriçi”, konsiderohet më delikatja. Mallakastriotët luajnë ndeshjen e dytë në Shkodër për këtë sezon, teksa në fazën e dytë kanë barazuar, dhe synimi është marrja e një rezultati pozitiv, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, duke parë objektivat e vendasve që synojnë titullin kampion.
Në Ballsh besojnë se, pavarësisht vështirësive, skuadra ka forcën për të siguruar mbijetesën dhe për të mbetur pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Trajneri Mirel Josa, së bashku me stafin e tij, po punojnë shumë në aspektin psikologjik për të mbajtur lart moralin e skuadrës. Te Bylisi, edhe pse ka pasur mungesa, disa lojtarë kanë kapur formën optimale, duke e treguar edhe në takimet e fundit. Josa pritet të mbështetet te forca e grupit në ndeshjen e radhës në Shkodër, ndërsa synimi është qartë: 3 pikët për t’u larguar sa më shumë nga dy vendet e fundit që të çojnë direkt në Kategorinë e Parë.
Ballshiotët kanë si objektiv të marrin maksimumin e pikëve në tri sfidat e mbetura, edhe pse nuk do ta kenë aspak të lehtë. Shpresohet që pas dy ditësh të jenë gati edhe sulmuesit që kanë munguar në takimet e fundit, ndërsa Josa mund të aktivizojë edhe elementë surprizë nga ekipi B dhe U-19, të cilët kanë spikatur në ofensivë dhe janë grumbulluar me skuadrën e parë në javët e fundit. Vllaznia është një skuadër që luan me theks sulmues dhe në Ballsh kërkojnë t’i përgjigjen kundërshtarit, ndërsa me Brunon e rikthyer dhe Kanën në formë stabël, Bylisi pritet të mos bëjë shumë lëvizje në duelin e radhës.
Deri në fund, Bylisi do të jetë në grumbullim. Të paktën kështu ka vendosur stafi dhe presidenca ballshiote. Sot pritet që trajneri Josa dhe stafi të vendosin për 11-shen anti-Vllazni, ndërsa në dy ditët e fundit është vënë re konkurrencë dhe luftë sportive brenda grupit. Në Ballsh janë gati për “finalen” e radhës, kur kanë edhe 270 minuta nga fundi i këtij sezoni.
