Asgjë nuk duket se ka ndryshuar gjatë muajit të gjatë pa gara në Formula 1, i shkaktuar nga anulimi i garave të Bahrejnit dhe Arabisë Saudite, teksa Andrea Kimi Antoneli rikthehet në Majemi, në pistën ku vitin e kaluar, si debutues absolut, fitoi “pole position”-in e tij të parë për Sprint. Piloti i Mercedesit shfaqet më i karikuar se kurrë në intervistën e dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.
Me çfarë mentaliteti vini në këtë fundjavë gare? Kur bëra valixhen për të ardhur në Majemi isha shumë i emocionuar. Pushimi ishte i gjatë dhe ideja e rikthimit në pistë më dha ndjesi shumë të bukura. Por jam shumë i qetë, e di që kam ende shumë për të provuar, por ndihem shumë mirë me makinën, kështu që përqendrohem te kjo dhe te shijimi i momentit.
Ndoshta fitorja e tretë radhazi? Nuk do të ishte keq (qesh), por nuk mendoj për këtë. Mendoj për gjithçka që duhet të bëj për të dhënë maksimumin. Megjithatë, do të ishte një mënyrë e bukur për t’u rikthyer pas pushimit…
Toto Volf thotë se nuk duhet t’ju kërkohet titulli, pasi jeni vetëm në sezonin tuaj të dytë. Jeni dakord? E kuptoj. Ai do që të mos kem shumë presion në një moment kur, si lider i kampionatit, ka shumë vëmendje ndaj meje. Sezoni është shumë i gjatë dhe ka ende shumë gara, kështu që duhet të qëndrojmë të fokusuar. Nga ana ime, dua të jem gjithmonë i shpejtë dhe të rris nivelin, sepse rivalët po afrohen.
Flitet se këtu mund të nisë ‘një kampionat i ri’, me ndryshime rregullash dhe përditësime nga ekipet. Çfarë mendoni? Ne te Mercedes kemi testuar gjatë pushimit ndryshimet e mundshme dhe nuk mendoj se do të ketë transformime të mëdha nga ky aspekt. Por do të jetë interesante, sepse pothuajse të gjitha ekipet sjellin përditësime të mëdha në Mejemi, ndërsa ne jo shumë në këtë garë. Nëse arrijmë të jemi përpara pavarësisht kësaj, atëherë do të thotë që jemi vërtet shumë solidë. Pastaj në Kanada do të jetë radha jonë për zhvillime.
Pika juaj e dobët në garat e para kanë qenë startet. Sa i keni praktikuar gjatë pushimit? Shumë, do të thosha të paktën njëqind. Më dhembte krahu nga sa shumë i kam provuar. Ka qenë edhe një punë me ekipin, sepse kemi bërë disa ndryshime që mendoj se do t’i përdorim në Kanada dhe që do të më ndihmojnë në nisje. Për këtë fundjavë kemi gjetur një kompromis për ta menaxhuar më mirë situatën dhe për të bërë një start të mirë.
Volf ka qenë i qartë, prioritet është fitorja e Mercedesit, jo e pilotëve. Ju dhe Rasëll jeni të vetëdijshëm për këtë? Po, shumë. Toto, në Australi para garës së parë, na futi mua dhe Rasëllin në një dhomë dhe na e shpjegoi shumë qartë, duke na thënë se skuadra dëshiron të rikthehet te titulli i konstruktorëve, ky është prioriteti. Pastaj ne pilotët garojmë edhe për veten tonë, sepse duam të fitojmë dhe të jemi më të mirët, por është e rëndësishme të mos harrojmë ekipin, sepse falë tyre arrijmë rezultatet.
Ky muaj si lider i kampionatit ju ka ndryshuar jetën? Nuk do të thosha. Por sigurisht që kam ndjerë një ndryshim dhe kam arritur ta shijoj momentin gjatë këtyre javëve pushim. Tani që rikthehemi në gara, jam futur në ‘modalitet gare’, përqendrohem te fundjava dhe te performanca. Nuk mendoj për asgjë tjetër.
