Dy anëtarë të ushtrisë amerikane janë raportuar të zhdukur gjatë stërvitjes së përbashkët “Luani Afrikan”, që po zhvillohet në Marok, pranë qytetit Tan Tan në jug të vendit.

Sipas Komandës Amerikane për Afrikën (AFRICOM) dhe Forcave të Armatosura Mbretërore të Marokut, ushtarët u zhdukën pranë zonës së stërvitjes në Cap Draa, duke nxitur menjëherë nisjen e një operacioni të gjerë kërkim-shpëtimi.

Në operacion janë përfshirë forca tokësore, ajrore dhe detare nga SHBA, Maroku dhe vende partnere, në përpjekje për gjetjen e dy ushtarëve.

Autoritetet marokene deklaruan se ata janë zhdukur pranë një zone shkëmbore, ndërsa një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha për Reuters se ekziston mundësia që dy ushtarët të kenë rënë në oqean. Sipas tij, incidenti nuk ka lidhje me terrorizmin.

Stërvitja “Luani Afrikan” është manovra më e madhe vjetore e organizuar nga AFRICOM, me pjesëmarrjen e rreth 5,000 efektivëve nga mbi 40 vende. Ajo zhvillohet këtë vit në Marok, Gana, Senegal dhe Tunizi, nga 27 prilli deri më 8 maj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb