Fundjava që lamë pas ishte mjaft pozitive për futbollistët e Kombëtares shqiptare që aktivizohen në kampionatet europiane dhe më gjerë, duke dhënë kontribut vendimtar për skuadrat e tyre dhe duke konfirmuar formën e mirë në këtë fazë të sezonit.
Kryefjala ishte padyshim Anis Mehmeti, kjo pas inga sezoni I ardhshëm ai do të bëhet futbollisti i dytë pas Armando Brojës që do të luajë në Premier League, pasi skuadra e tij Ipswich Town siguroi ngjitjen në elite pas suksesit 3-0 ndaj QPR.
Një nga protagonistët kryesorë ishte edhe Kristjan Asllani, i cili zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer me Besiktas në transfertën ndaj Gaziantep. Mesfushori kuqezi kontribuoi me një asist nga goditja e këndit, ndërsa më pas shënoi edhe nga pika e bardhë, duke qenë vendimtar në suksesin e skuadrës së tij.
Në kampionatin amerikan MLS, Myrto Uzuni vijon formën e tij të shkëlqyer, duke shënuar në fitoren 2-0 të Austin ndaj St. Louis City. Goli i sulmuesit erdhi në minutën e 81-të, duke vulosur suksesin e skuadrës së tij.
Paraqitje të shkëlqyer realizoi edhe Qazim Laçi, i cili u dallua me gol dhe asist në fitoren 3-2 të Rizespor ndaj Konyaspor. Mesfushori shqiptar fillimisht riktheu baraspeshën në minutën e 18-të, ndërsa në pjesën e dytë dhuroi edhe një asist, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në këtë përballje.
Arbër Hoxha vazhdon të jetë protagonist me Dinamo Zagreb, skuadrën e saposhpallur kampione në Kroaci, duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 5-të në fitoren 1-2 në transfertë ndaj Gorica. Sulmuesi shqiptar finalizoi një aksion të bukur me një goditje të saktë brenda zonës.
Mirlind Daku u rikthye te goli. Sulmuesi i Kombëtares shënoi në fitoren minimale 0-1 të Rubin Kazan ndaj Baltika. Për golin e tij kontribuoi edhe Nazmi Gripshi, i cili dha asistin vendimtar, duke vulosur bashkëpunimin mes dy lojtarëve të Kombëtares.
Pozitiv ishte edhe aktivizimi i Indrit Tucit, i cili gjeti rrugën e rrjetës pasi u hodh në fushë nga stoli, duke shënuar një gol të bukur me kokë për Kayserispor dhe duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme për ekipin e tij në barazimin 1-1 ndaj Eyupspor.
Gjatë kësaj fundjave, minuta si titullarë me skuadrat e tyre morën edhe Thomas Strakosha, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake, Stavro Pilo, Ylber Ramadani, Adrion Pajaziti dhe Ernest Muçi.
