Dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një makinë u përplas me një turmë njerëzish në qendër të qytetit gjerman Leipzig, kanë konfirmuar autoritetet lokale.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi në rrugën Grimmaische Strasse, një zonë e frekuentuar që të çon drejt qendrës tregtare të qytetit. Dy persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa të paktën dy të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë.

Raportimet fillestare nga mediat gjermane, përfshirë agjencinë DPA, bëjnë me dije se numri i të prekurve mund të jetë më i lartë. Shefi i zjarrfikësve në Leipzig tha se rreth 20 persona janë prekur nga incidenti, ndërsa tabloidi Bild raportoi për të paktën tetë të plagosur.

Sipas transmetuesve lokalë si MDR dhe Radio Leipzig, një automjet tip SUV i markës Volkswagen u pa duke kaluar me shpejtësi në një zonë për këmbësorë përpara përplasjes.

Policia njoftoi se shoferi është ndaluar pasi tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes dhe tashmë ndodhet në arrest. Autoritetet theksuan se nuk ka më rrezik për qytetarët.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb