Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar vendosjen e një armëpushimi dy-ditor në konfliktin me Ukrainën më 8-9 maj, për të shënuar përvjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Moska pret që edhe pala ukrainase të respektojë këtë armëpushim.
“Nëse Ukraina përpiqet të prishë festimet e Ditës së Fitores, Rusia do të kryejë një goditje masive raketore në qendër të Kievit. Pavarësisht mundësive që kemi, Rusia është përmbajtur më parë nga veprime të tilla për arsye humanitare. Por jemi gati të veprojmë nëse armëpushimi nuk respektohet”, thuhet në deklaratë.
Ministria ruse paralajmëroi gjithashtu popullsinë civile të Kievit dhe stafin e misioneve diplomatike të huaja që të largohen nga qyteti në kohë.
Nga ana e saj, Ukraina do të zbatojë një armëpushim të vetin me Rusinë më 5 dhe 6 maj, njoftoi sot presidenti Volodymyr Zelensky, pas shpalljes nga Moska të një armëpushimi të njëanshëm me rastin e përkujtimeve të 9 majit 1945.
“Në këtë moment, nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare drejtuar Ukrainës lidhur me mënyrën e zbatimit të një ndalimi të luftimeve, për të cilin po flitet në rrjetet sociale ruse”, deklaroi Zelensky në një mesazh të publikuar në platformën X.
“Në këtë kontekst, ne shpallim një regjim armëpushimi duke filluar nga ora 00:00 në natën mes 5 dhe 6 majit”, shtoi ai.
