Politikanë që kanë gabuar shumë apo kanë bërë faje të shumta,  Shqipëria ka parë shumë e urojmë që të mos shohë më. Një ndër ta është Edi Rama që po qeveris më keq sa s’ka ku vete, por një gjë është e sigurtë. Po bën gabime e kryen faje si Kryeministër, ç’ka natyrisht që nuk e amniston.

Por ka një veçori: po i bën në pushtet. E dihet që pushteti të shtyn në gabime e faje për shkak se pushteti të korrupton, të shkëput nga realiteti, të fut në konjuktura të gabuara, e kështu me rradhë. Pushteti i tillë është. Ndaj e kufizojmë me Kushtetutë, ligj, institucione. Por që një politikan të mëkatojë pa fund në opozitë nuk është parë e dëgjuar kurrë në asnjë vend e domokraci.

Që ka patur dhe ka udheheqës opozite që nuk fitojnë zgjedhjet është një fakt sa aktual aq dhe historik. E përveç Sali Berishës të gjithë të tjerët kanë qënë të paaftë apo dhe të pafat që nuk kanë fituar, dot duke i zgjatur jetën pushteteve e mazhorancave që janë rikonfirmuar disa herë. Ndaj këta udhëheqës opozitarë janë larguar me dorëheqje nga drejtimi i partive të tyre duke i hapur rrugë dikujt tjetër me idenë se mund të fitonin. Por edhe kur kanë dështuar të dytët, i kanë hapur rrugë një të treti që ka fituar.

Kjo ka ndodhur në Angli me Cameron, në Itali me Melonin, në Gjermani me Merz. Por kjo ka ndodhur dhe ndodh gjithnjë sidomos në SHBA, aty ku pas cdo humbjeje të zgjedhjeve presidenciale, në zgjedhjet e rradhës ka kandiduar dikush tjetër.

Ky fenomen i rotacionit të leadershipit opozitar përfaëson sa një parim moral, por po aq edhe praktik. Sepse shoqeria demokratike ka nevojë për korrigjim dhe alternim të qeverisjes për ta bërë atë më të mirë. Pra një “perpetum mutatio moderationis’, një “ndryshim i përhershëm i drejtimit” në të mirë të interesit publik, pra qeverisjes.

Por në Shqipërinë e pas 2013 ky parim demokratik është thyer keqazi, është përmbysur apo më keq është përdhosur. Dhe për këtë nuk e ka fajin pushteti, pra Edi Rama që fatkeqësisht është vetë Pushteti! Jo sepse Edi Rama nuk ka një rol në këtë përversitet politik, por sepse është përgjegjësi i fundit.

Sepse askush nuk “blen” dot dikë që nuk është në “shitje”. Përndryshe e ka marrë peng  ai ose dikush tjetër që qëndron pas tij. me kushtin e të qënit mëkatar.  E një opozitë e marrë peng nuk është opozitë, por një grup gjynahqarësh që duhen lënë të neveritur në burgun e tyre! Edhe një grup gjynahqarësh e ka një kryetar.

Akuzat se Rama “ka blerë opozitën”, “ka përçarë opozitën”, “ka korruptuar opozitën” në fakt kanë qënë refreni i udheheqjes së PD që nga viti 2017 pas humbjes së paprecedentë të zgjedhjeve. Dhe “profesori” që fshihej pas kësaj katedre djallëzore ka qënë vetëm një: Sali Berisha dhe shkolla e tij e “armikut të kllasës dhe pushtetit popullor”.

Lulzim Basha që është përgjegjës si kryetar i PD në atë fiilim, pasi më pas u shndërrua vetë në viktimë, kishte vetëm një faj, atë të nënshtrimit ndaj këtij mentaliteti. E natyrisht nuk ishte një faj i vogël, e për këtë e mbylli karrierën duke u ndëshkuar nga ndërkombëtarët e demokratët. Por ta fajësosh si përgjëgjësin autentik është e gabuar, pasi “professor shpifja” këtë sport e ushtronte që nga viti 1992 kur përjashtoi themeluesit e PD, të njohur si “mocionistët”.

Sic u tha më lart rotacioni në opozitë është një mundësi për të fituar zgjedhjet. Për t’i dhënë vendit një qeverisje më të mirë. Por cështja qëndron në faktin se askush në PD nuk do rotacion përvec atyre që kërkojnë rotacionin e pushtetit brënda PD si parakusht për rotacione ndaj pushtetit të PS. Dhe përtej Salianjit dhe kandidatëve të tjerë të cilëve ju mohua gara e 23 majit, e që janë të fundit në listën e atyre që duan ndryshim të leadershipit të dështuar në krye të PD që nga 2017, në listën e “armiqve të udhëheqësit” u shtua dhe Focus Group.

Pra News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Një grup mediatik që përvec influenës së madhe që ka në tregun e lajmeve, aq sa angazhoi dhe gjithë urrejtjen e dhunën institucionale të qeverisë harbute të Rilindjes, tashmë gjendet edhe nën sulmin e opozitës kuislinge të Sali Berishës.

Një opozitë që as dëshiron që të fitojë zgjedhjet e aq më pak të ndryshojë qeverisjen e vendit, a se janë peng të Ramë, a janë të paaftë, a janë të blerë, apo të treja bashkë, nuk ka më pikë rëndësie. Sepse kjo është e vetmja opozitë që pret çdo ditë degët e pemës mbi të cilën ulet. Nuk shpjegohet ndryshe sulmi ndaj Focus Group, që është e vetmja media që mban veten dhe nuk paguhet as nga një qeveri represive ndaj asaj vetë dhe as nga miliardat e korrupsionit të qeverisjes së PD.

Kjo media që nuk është në ortakëri me bizneset afër qeverisë, përkundër mediave afër Berishës që aktualisht hetohet nga SPAK për bashkëpunim në krim të organizuar e korrupsion madhor bashkë me njërëzit e qeverisë. Por ortakët e qeverisë në oborrin e SHQUP-it (PD nuk e meriton më të quhet parti politike) jo vetëm që lulëzojnë, por guxojnë dhe sulmojnë një media që informon lirisht nën trysninë e qeverisë.

Ja pra pse Berisha dhe PD nuk janë vecse të paaftë për të realizuar rotacionin, por nuk e duan atë sepse janë pjesë e qeverisë. Siç janë pjesë e saj për amnistinë penale me të cilën bashkë me PS sfiduan SPAK 2 vite më parë, Kodin Zgjedhor të Listave të Mbyllura, sulmet ndaj drejtësisë e përfshirjen e njerëzve të saj në shumë skandale qeveritare që drejtësia ka zbardhur deri më tani.

E pra kjo PD që sulmon këdo që e do fituese nuk është gjë tjetër veçse argate e Edi Ramës, ç’ka e ka shndërruar nga partinë më të madhe opozitare në “parkingun” më të madh falas tnë qëndër të Tiranës. Edhe të parave të pista që prodhonte dje e sot. E meqë jemi tek katandisja e oborrit të PD në parking falas, ishte më mirë kur në SHQUP godina vlente për dreka përkujtimore të shoqatave të veteranëve. Të paktën ndonjëri prej tyre edhe kishte dalë në mal me pushkë. Kurse këta veterantë sotëm të PD kanë hall të gjuajnë ndonjë leje ndërtimi.

E për këtë punë Focus Group nuk i ndihmon dot!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb