Shqiptarët janë tradhtuar shpesh nga qeveritë e tyre. Jo gjithmonë me gënjeshtra të mëdha. Shpesh me ëndrra të mëdha. Në vitin 1997, ëndrra ishte pasurimi i shpejtë pa punë. Shteti nuk e ndali mashtrimin. Nuk i mbrojti njerëzit. Shqiptarët paguan faturën. Me gjak. Me kaos. Me vite të humbura.
Sot po shitet një tjetër ëndërr. Ëndrra e mirëqenies së shpejtë përmes betonit. Kulla në vend të kodrës. Shkatërrim i bregdetit. Gërryerje e maleve dhe lumenjve. Çdo copë natyre që zhduket quhet “investim”. Çdo hapësirë që mbetet e lirë quhet mundësi e humbur.
Por zhvillimi nuk matet me atë që ndërtojmë. Matet me atë që na mbetet. Shqipëria po ndërton shumë. Por po humbet edhe më shumë. Çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme për shqiptarët.
Rritet çmimi i pronës dhe ulet cilësia e jetës. Shqipëria tërheq kapital dhe largon qytetarë. Ndërton hotele për turistët dhe e bën vendin të papërballueshëm për shqiptarët.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shohim gjendjen e mjedisit. Ironia është se Shqipëria e ka shpallur turizmin motor të zhvillimit, ndërsa renditet e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave të plazheve. Ky është tregues i mungesës së një strategjie zhvillimi. Sepse nuk ndërtohet një ekonomi turistike duke shkatërruar pasurinë natyrore mbi të cilën ajo mbështetet.
Nuk mjafton të ndërtosh resorte buzë detit, nëse nuk e mbron detin. Nuk mjafton të numërosh turistët, nëse humbet pasurinë që i sjell ata. Zhvillimi nuk fillon me betonin. Ai fillon me ruajtjen e natyrës. Prandaj pyetja nuk është: çfarë po ndërtojmë? Pyetja është: për kë po e ndërtojmë? Këtu qëndron filli historik që lidh Shqipërinë e vitit 1997 me Shqipërinë e vitit 2026.
Vlora.
Në vitin 1997, një ekonomi e brishtë, institucionet e dobëta dhe skemat piramidale e çuan Shqipërinë drejt greminës. Sot, në të njëjtin qytet, një pushtet i degraduar, një model i gabuar zhvillimi, rrezikon që të gërryejë një tjetër pasuri: natyrën dhe të ardhmen.
