Banorët e lagjes nr. 14 në Korçë kanë folur pas vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko, duke treguar momentet e para pas ngjarjes. Ata shprehen se as viktima dhe as autori i dyshuar nuk janë banorë të zonës dhe se nuk i kanë njohur më parë.
“Nuk janë nga kjo lagje, nuk i njohim. Dëgjuam një zhurmë të madhe, por nuk e dinim çfarë ishte. Dolëm jashtë dhe morëm vesh çfarë kishte ndodhur”, tregojnë banorët. Sipas tyre, lagjja njihet si një zonë e qetë dhe një ngjarje e tillë është e pazakontë.
“Është një lagje e qetë, nuk ka ndodhur më parë kjo gjë. Jemi të frikësuar, normalisht”, shprehen banorët. Ndërkohë, Policia vijon kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar, i cili është identifikuar pas ngjarjes. Në disa zona janë ngritur postblloqe, ndërsa grupi hetimor po sekuestron edhe kamerat e sigurisë për të zbardhur lëvizjet e autorit dhe viktimës para vrasjes.
