Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë të ngrira. Përgjegjës për këtë Dule bën kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se ka krijuar vazhdimisht tensione mes vendeve.
Në një intervistë në News24, i ndalur te procesi i integrimit, Dule theksoi se duhet të punojnë konform ligjeve të BE, gjë e cila sipas tij nuk po ndodh me qeverinë shqiptare.
“Marrëdhëniet, Shqipëria-Greqi, janë më të ftohta. Nuk ka marrëdhënie më të ngushta se sa midis grekëve dhe shqiptarëve. Por marrëdhëniet politike janë pas. Për mua ka një përgjegjës është Edi Rama. Ai kërkon që marrëdhëniet ti mbajë në tensione artificiale pa shkak e arsye, me tendencë në shërbim të agjendës së tij lokale. Dhe kjo është katastrofike. Këto marrëdhënie janë me rëndësi për zhvillimin në të gjithë rajonin. Nuk ushtrohet politika e jashtme me improvizime. Është një kohë shumë e vlefshme në procesin e integrimit, por kujtojmë se nuk miratohet IBAR. Këta fshehin kokën duke kujtuar se nuk po i shohin të tjerët. Bota funksionon ndryshe. Nëse nuk do arrijmë të njohim dhe të punojmë konform këtij realitet, fatkeqësisht do humbasim edhe trenin e radhës. Të mos harroni, se kemi bërë të pabërën, kemi dekoruar veten. Rama me ministrat bënin evente për hapjen e negociatave ndërsa negociatat u hapën pas disa vitesh. Kështu po ndodh edhe tani. I kanë hipur kalit të integrimit mbrapsht”, u shpreh ai.
