Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, priti në Tiranë një delegacion të përfaqësuesve të bashkive austriake, në kuadër të një shkëmbimi informal mbi qeverisjen vendore, reformën administrativo-territoriale dhe rolin e bashkive në procesin e integrimit europian.
Takimi u zhvillua në COD, me pjesëmarrjen e Ambasadores së Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, Presidentit të Shoqatës Austriake të Bashkive, Johannes Pressl, si dhe përfaqësuesve të tjerë të pushtetit vendor austriak. Në fokus të shkëmbimit ishte ndarja e përvojave mbi funksionimin e qeverisjes vendore, ofrimin e shërbimeve publike, bashkëpunimin ndërmjet nivelit vendor dhe atij qendror, si dhe përgatitjen e bashkive për të përfituar nga mundësitë që sjell integrimi europian.
Në fjalën e tij, ministri Demo theksoi se qeverisja vendore është niveli ku politikat publike përkthehen drejtpërdrejt në shërbime, infrastrukturë, planifikim, zhvillim ekonomik dhe jetë komunitare. Sipas tij, rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbetet vetëm një agjendë e institucioneve qendrore, por duhet të reflektohet edhe në nivel vendor, përmes bashkive më të forta, më transparente dhe më të afta për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
Demo u ndal edhe te procesi i reflektimit mbi hapat e mëtejshëm të reformës administrativo-territoriale, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të përvojës së deritanishme dhe nevojën për një qasje që forcon efikasitetin, balancën territoriale dhe afërsinë e institucioneve vendore me qytetarët. Në këtë drejtim, përvoja e Austrisë u vlerësua si e rëndësishme, veçanërisht për sa i përket autonomisë vendore, bashkëpunimit ndërbashkiak, shërbimeve publike dhe rolit të komuniteteve më të vogla brenda sistemit vendor.
Ministri nënvizoi se Shqipëria po punon për forcimin e kapaciteteve të bashkive, përmirësimin e performancës vendore dhe krijimin e instrumenteve që i ndihmojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore të planifikojnë më mirë, të menaxhojnë burimet në mënyrë më efektive dhe të përgatisin projekte më cilësore zhvillimi. Një fokus i veçantë, sipas tij, është kalimi nga një qasje e bazuar vetëm te përmbushja formale e procedurave, drejt një qeverisjeje më të orientuar te rezultatet konkrete dhe cilësia e shërbimeve që marrin qytetarët.
Demo tha gjithashtu se programet e BE janë të mëdha dhe se objektivi është që Shqipëria të jetë në Europë në 2030. “Jemi shumë krenarë që kemi themeluar Akademinë e re me ndihmën e partnerëve, sidomos partnerëve suedezë. Programet e BE janë të mëdha. Objektivi ynë është që të jemi në BE deri në vitin 2030. Është me rëndësi që bashkitë të bëjnë një punë të mirë për t’u përballur me sfidat që do kenë përpara. Kur flasim për reformën territoriale, Shqipëria ka kaluar në struktura të ndryshme të qeverisjes lokale. Ishim 26 Bashki, 26 qendra, pas ’91 shkuan në 31 dhe në 2014 ky numër shkoi në 61”, theksoi ai.
Në përfundim, ministri Demo vlerësoi mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në Shqipëri dhe theksoi se shkëmbime të tilla janë të rëndësishme për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve, bashkive dhe komuniteteve të të dy vendeve.
Takimi shërbeu si një mundësi për të forcuar kontaktet ndërmjet përfaqësuesve të qeverisjes vendore në Shqipëri dhe Austri, si dhe për të identifikuar fusha të mundshme bashkëpunimi në të ardhmen, përfshirë zhvillimin ekonomik vendor, turizmin, digjitalizimin, shërbimet publike, menaxhimin e mjedisit dhe përgatitjen e bashkive për proceset që lidhen me integrimin europian.
