Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka folur për protestën e paralajmëruar nesër, duke kërkuar ndryshim të strategjisë dhe organizimit të tubimeve opozitare.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kalaja u shpreh se protestat duhet të vijojnë, por sipas tij ato duhet të jenë më të organizuara dhe të konsultuara me ekspertë sigurie.
“Nuk mund të shkojmë në protest që të na rrahin policët. Na duhen ekspertë sigurie që të dimë si të reagojmë,” deklaroi Kalaja, duke shtuar se opozita nuk duhet të heqë dorë nga protestat.
Sipas tij, protestat e shpeshta janë reagim ndaj çështjeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Kalaja tha gjithashtu se ka kërkuar një mbledhje me dyer të mbyllura brenda partisë, por kjo kërkesë nuk është pranuar. Ai theksoi se do të ishte e nevojshme një analizë me ekspertë sigurie që, sipas tij, kanë eksperiencë në organizimin e protestave dhe demonstratave.
Kalaja ngriti akuza edhe ndaj policisë, duke pretenduar se ajo ka shkelur ligjin gjatë protestave të mëparshme dhe se, sipas tij, ka pasur përdorim të tepruar force ndaj protestuesve.
“Policia ka shkelur ligjin në të gjitha anët,” u shpreh ai, duke shtuar se i është drejtuar edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për këtë çështje.
Ai tha se, sipas tij, është e papranueshme që qytetarët të frikësohen për pjesëmarrje në protesta nga frika e përplasjeve me policinë.
Kalaja kërkoi një qasje tjetër nga Partia Demokratike për organizimin e protestave të ardhshme, duke theksuar se opozita nuk mund të vazhdojë me të njëjtën strategji dhe pa garanci për sigurinë e pjesëmarrësve.
