“Ergys Agasi nuk ka qenë asnjëherë aleat i Belinda Ballukut, por ka përfaqësuar një tjetër degë të pushtetit.” Kështu deklaron gazetari investigativ Artan Hoxha, i cili ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, ku komentoi zhvillimet rreth arrestimit të Ergys Agasit, marrëdhëniet e tij me strukturat e pushtetit, si dhe përfshirjen e ish-futbollistit dhe drejtuesit të njohur të futbollit, Igli Tare, në hetimet që lidhen me dosjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Hoxha argumenton se Agasi dhe Balluku nuk kanë qenë pjesë e së njëjtës aleancë, por kanë funksionuar si dy struktura të ndryshme brenda pushtetit. Sipas tij, dobësimi i Agasit ka nisur kohë përpara arrestimit, ndërsa largimi i tij nga skena ka forcuar pozitat e krahut tjetër. Gazetari e nis analizën e tij duke bërë një dallim mes figurave të përfolura dhe mënyrës se si, sipas tij, është ndërtuar pushteti në prapaskenë.
“Në fakt, Gysi nuk ka qenë aleat i Ballukut asnjëherë. Pra, ka përfaqësuar një degë tjetër të pushtetit. Pra, nuk ka qenë pjesë e aleancës me Ballukun. Madje, gjatë pa ndodhur ai aksioni i vjetshëm i qershorit, ku u shkua për herë të parë tek zyrat dhe tek banesat e tij, ai dukej pak nga pak. Kishte filluar t’i binte pushteti, sepse po forcohej krahu tjetër dhe po goditej. Pra, po ia ngushtonte hapësirën.
Unë nuk di asnjëherë që ata të kenë qenë aleatë, nuk di që kenë qenë bashkëpunëtorë, por kanë pasur një lloj dualiteti, por nuk kanë qenë armiq, nuk kanë shkuar në atë suazën e të qenurit armiq, sepse nuk ka qenë e nevojshme dhe, duke ditur secili se ku i buronte pushteti, është përpjekur që brenda asaj pjesës së vet të bëjë punën e vet. Sigurisht që, në rastin konkret, me largimin e Agasit, me daljen e tij nga skena, ai që ngelet në lojë i përforcon pozitat e veta, por në fund të fundit, mbretërimi i Agasit duket sikur ka aq, shkoi diku tek 7-8 vjet, siç e kanë koordinatorët e botës së nëndheshme. Ai gëzon shëndet, është moshë e re, ndaj mos të na çudisin që të ketë ndonjë gjë nga ana shëndetësore. Ai e kishte shansin, edhe pse të minimizuar, për të bërë diçka. Pra, nga ai moment i arrestimit, njerëzit e pushtetit të lartë janë mbushur me frymë thellë, kanë hequr një siklet të madh nga vetja.
Kuptova nga ky moment e tutje duhet të shikojnë të zgjidhin problemet e tjera. Për fat të keq, Gysi, përveç problemeve që ka me pushtetin, të cilat tashmë ato, si të them, kanë marrë një zgjidhje, ai duhet të shikojë dhe të reflektojë për premtimet dhe për problemet e tjera që ka krijuar vetë nga pozicioni në të cilin ai kishte aty. Pastaj është një gjë tjetër që edhe pushteti nuk jep dot garanci. Nëse ti ke bërë premtime të mëdha, nëse ti ke marrë pagesa të mëdha për të mundësuar, thashë, leje ndërtimi apo mundësi për tender apo për biznese të tjera të fuqishme, atëherë kjo është çështje personale dhe aty pushteti nuk mban përgjegjësi se çfarë hëngri kumbulla apo dardha mbas shpinës së padishahut.”, tha ai.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe përfshirjes së emrit të Igli Tares në hetimet që lidhen me dosjen “Balluku”. Për Hoxhën, bëhet fjalë për një figurë shumë të njohur në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare të futbollit, ndaj përfshirja e tij tërheq automatikisht vëmendje të madhe publike.
“Tek kjo pjesa e Igli Tares, në fakt, unë ndjej keqardhje. Personazh shumë i njohur nga shqiptarët, më të njohur në botën e sportit, që me punën e tij, me profesionalizmin e tij, ka arritur nga në majë që askush nuk i ka menduar ndonjëherë. Drejtor i Milanit. Pra, është një shqiptar edhe si sportist. Kur qe sportist, si pjesëtar i kombëtares, kam bërë tifozllik për atë si lojtar, edhe pse ai s’ka qenë ndonjëherë me skuadrën që unë jam tifoz.
Por gjithsesi e njoh nga afër. Si them, Igli Tare është te kjo pjesa që plotëson puzzle-in, po ta shikosh këtu, kur sa herë krijohet përshtypja që më në fund u mblodhën gjithë pjesët e puzzle-it.
Është një personazh që tërheq shumë vëmendje. Nuk ka shqiptarë që s’e njeh Igli Taren, por dhe mediat e huaja pafundësisht e njohin. Së dyti, duke e përfshirë Igli Taren në një aferë të tillë me pushtetin në Shqipëri, pra ti ke joshur publikun. Është një lajm që shet. Futi Igli Taren dhe e ke të garantuar klikimin, shikimin, shpërndarjen. Pra, i ke të gjitha brenda dhe litar e ka këtë. Pra, është një lloj lajmi që i shërben edhe SPAK-ut, sepse tregon që po punon. Sa më i famshëm të jetë ai që kapet, aq më i madh është impakti ose perceptimi që shkon te publiku.
Balluku ka qenë njeriu i dytë pas Edi Ramës. Unë s’di të ketë qenë ndonjë ministër kaq më i fuqishëm se kjo. Ka kaluar me qindra miliona, me miliarda euro. Po mirë, gjithë ky korrupsion i madh, te kjo vila me Igli Taren ka ngelur?!
Gjithë kjo, tuneli i Llogarasë, rrugë, lote, autostrada, e te Igli Tare ka ngelur?! Publikut sot i intereson se ku kanë vajtur paratë e shqiptarëve. Po çfarë ka bërë ky pushtet që është sot, me katër mandate, me paratë e shqiptarëve? Tani gjithë kjo histori përmblidhet në një vilë te Igli Tares. Tani ne të gjithë e dimë, me punën që ka bërë Igli Tare, ka pasur para të blejë jo një vilë, po të marrë dhe një resort. Kush do t’i thoshte ‘jo’ Igli Tares? Po heqim ne njohjen e hershme që ai ka me Ballukun. Ai s’ka njohur sot! E ka shumë të hershme ai njohjen.
Ti i ke bërë nderin më të madh Ballukut, sepse ke shpërqendruar vëmendjen e publikut nga skandali. Ore, për çfarë kanë dalë njerëzit në protestë? Për Igli Taren kanë dalë ata?! Po jo mo, s’kanë dalë për Igli Taren ata. Ne duam Ballukun. Ku na çon?! Na çon te Edi Rama. Agasi ku na çon? Na çon te Edi Rama.
Ku na çojnë këta ne? Ne kërkojmë këta që na çojnë te Edi Rama, sepse ai e drejton lojën, ai drejton fijet. Ai është njeriu që në këtë vend është bërë si Zeusi. Çdo gjë vendoset prej tij dhe të gjithë ne i kërkojmë këto lloj skandalesh dhe këto lloj aferash, për shkak se duam dhe tashmë e dimë fare qartë që mbi këta gjithmonë është, po qartë, kreu i organizatës dhe aty s’preket.
Bëhet pis çdokush tjetër rreth e rrotull. Ai jo. Ai s’di gjë. Ja, ka bërë Igli Tare dhe s’e dika kryeministri. Po mirë mo, Igli Tare na erdhi një ditë të bukur. Ne, se unë jam tifozi i Dinamos, te klubi Dinamo, na e bën klubin me katër aksionerë. Na erdhi kryeministri aty. I futën dhe një bisht mbrapa e bën Dinamo City.
Po atëherë Igli Tare e bëri këtë. Ai ka qenë lojtar i Partizanit dhe tifoz i Partizanit. Ishte javën e kaluar, ndoqi ndeshjen ku luan i biri, se luan me Tiranën. Erdhi Manchester City, nxori ato trofetë, tërhoqi vëmendjen Rama, doli mediat botërore. Manchester City, klubi më i pasur i planetit. A e dini ju që në të vetmin vend ku ai nuk harxhon para, po ai merr para, pra Manchester City, klubi i sheikëve të pasur, dhe paratë i merr në Shqipëri. Si është e mundur kjo?
Sepse shteti shqiptar ka krijuar atje një kompani, një ndërmarrje për të përdorur deri dhe emrin e Manchester City-t, për të përdorur Dinamon. Marina Durrës ishte pjesë e Dinamos. Po përdornin emrin e brandit Dinamo për të marrë ca lekë, për të fituar ca lekë. E kush ishte aty? Gysi. Pra, të gjithë këto, Gysi, Belinda, të gjithë të tjerët janë thjesht leva të pushtetit, i cili herë pas here njëherë kalon njërën para, një herë tërheq tjetrën mbrapa, në një moment i asgjëson ato dhe vazhdon me projektin e radhës.”, tha Hoxha.
