Analisti Fatos Lubonja ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike, ku në garën për drejtimin e partisë është vetëm kryetari aktual, Sali Berisha.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Lubonja u shpreh se në Partinë Demokratike është krijuar një kulturë politike ku lideri trajtohet si “pronar” i partisë, duke e bërë praktikisht të pamundur konkurrencën e brendshme.
Sipas tij, Berisha ka ndërtuar vetë strukturat e partisë ndër vite, duke krijuar një sistem ndikimesh përmes favoreve, posteve dhe marrëdhënieve politike, gjë që sipas Lubonjës e pamundëson një garë të barabartë.
“Unë mendoj se duke pas këtë mendësi patriarkale se partia është e këtij burri, jo vetëm sepse kemi mendësinë, por edhe sepse ky ka ndërtuar strukturat ka bërë favore, ka bërë ndere, ka dhënë një post këtu, një post atje, atëherë në këto kushte nuk konkurrohet dot me Sali Berishën”, u shpreh Lubonja.
Më tej, Lubonja theksoi se partitë politike duhet të kenë kufizime statutore për mandatin e kryetarit, duke sugjeruar që asnjë lider të mos qëndrojë më shumë se 8 vite në drejtim.
“Unë mendoj se duke pas këtë mendësi patriarkale se partia është e këtij burri, jo vetëm sepse kemi mendësinë, por edhe sepse ky ka ndërtuar strukturat ka bërë favore, ka bërë ndere, ka dhënë një post këtu, një post atje, atëherë në këto kushte nuk konkurrohet dot me Sali Berishën.
Çfarë duhet të ndodh normalisht? Unë gjykoj nga përvoja, që një lider më shumë se 8 vjet të mos qëndrojë, kjo të bëhet statut partie dhe kjo mund të hapet. Realisht është kjo. Me real politike sot, po iku Sali Berisha, bëhen 7 Parti Demokratike. Kjo punë nuk bëhet me Berishën, por as pa Berishën”, tha ai.
