Ish-prokurori Eugen Beçi, ka komentuar vendimin e marrë nga gjykata e Lartë në lidhje me paraburgimin.

I ftuar në “Kjo Javë” me autoren dhe moderatoren Nisida Tufa në News24, Beçi u shpreh se vendimi është një sinjal për të treguar që masa e sigurisë “Arrest me burg” është përdorur në mënyrë abuzive.

Sipas tij, kjo masë është aplikuar shpesh në mënyrë automatike, pa analiza të thelluara të çdo rasti individual.

Ai theksoi se paraburgimi duhet të jetë masë e fundit dhe jo standard i zakonshëm, duke shtuar se gjykatat shpesh kanë përdorur formula të përgjithshme pa individualizuar rastet konkrete.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë i kujton gjykatave se duhet të argumentojnë qartë pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme.

“Nuk është sinjal i fortë, është thjeshtë sinjal. Sinjal i fortë do të ishte Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, përcaktimi i masave dhe kritereve të sakta për masat e sigurimit. Është sinjal për të treguar që masa e sigurimit arrest me burg vitet e fundit ka qenë një masë që vendosej në mënyrë automatike, mjaftonte akuza dhe caktohej kjo masë. Ka pasur abuzim, sepse masa e sigurimit është përjashtim, jo standard. Kjo masë është kthyer në një normalitet të papranueshëm nga Kushtetuta dhe Konventa Europianë e të Drejtave të Njeriut. Nuk mundet që në caktimin e kësaj mase të mos ketë prova konkrete që të provohet rreziku i largimit nga vendi, prishjes së provave dhe faktit që mund të kryesh një vepër tjetër penale. Gjykatat shpesh merreshin me formulime standarde pa i hyrë individualizimit të rasteve konkrete. GJL me vendimin u tha gjykatave se duhet të merren parasysh elementët, mes të cilave të shpjegohet pse masat e tjera të sigurimit janë të papërshtatshme. Paraburgimi nuk është dënim, shpesh është kthyer në metodë spektakli që e kthen më pas faktin e thjeshtë, njeriun që e merr në hetim e dënon para se ta gjykosh. Është kthyer në një mënyrë që drejtësia të thotë e bëra punën sepse vendosa këto masa. Arresti në burg është mjeti i fundit, masa e fundit e sigurisë, arresti në burg është një element për të siguruar një hetim normal nuk është pjesë e dënimit”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: