Ish-prokurori Eugen Beçi ka komentuar aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te drejtuesi i mjetit.
Në “Kjo Javë”, Beçi u shpreh se megjithëse faji kryesor i ngjarjes bie mbi shoferin që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi mbi normat e lejuara, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që duhet të hetohen.
Sipas tij, duhet vlerësuar edhe roli i Policisë Rrugore, si dhe niveli i kontrollit ndaj drejtuesve problematikë. Beçi theksoi gjithashtu përgjegjësinë e pushtetit vendor për vendosjen e tabelave vertikale dhe horizontale të qarkullimit, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë rrugore.
“Faji kryesor është i drejtuesit të mjetit, drejtoi mjetin në gjendje të dehur përtej normave të lejuara të shpejtësisë. Ky është faji subjektiv por nuk është i vetmi faj. Infrastruktura, sa e mirë dhe në favor të mbrojtjes së jetës ë njeriut është, fuqia parandaluese e policisë rrugore dhe sa kontrollues kanë qenë ndaj këtyre drejtuesve, dhe për të parë pushtetin vendor për kushtet e caktimit të tabelave vertikale dhe horizontale. Duhet të shihen të gjitha këto. Do të gabonim nëse do të thonim që faji është vetëm i shoferit. Faji është edhe i pushtetit vendor. Është rasti t’i shkohet deri në fund një hetimi dhe të evidentohen të gjithë faktorët që kanë ndikuar”, tha ai.
