Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, gjatë inspektimit në Qendrën Multifunksionale Vorë, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në kuadër të aktivitetit “Rini në lëvizje – fuqia për të ndikuar”, ku 25 të rinj janë aktivë në programet e qendrës, duke u angazhuar në shërbime dhe punë vullnetare në mbështetje të komunitetit të zonës.

Ministrja Sala vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet qeverisë, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë për krijimin e hapësirave të tilla, të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve të integruara sociale përmes mekanizmit të Fondit Social.

Jam vërtet e kënaqur që po vizitoj këtë qendër multifunksionale këtu në Vorë. Është një shembull i shkëlqyer i një bashkëpunimi ndërmjet qeverisë, pushtetit lokal dhe sigurisht institucioneve ndërkombëtare që na ndihmojnë vazhdimisht nëpërmjet mekanizmit të Fondit Social. Është një fakt që nëpërmjet vullnetarizmit siç e shohim këtu, por edhe këtij bashkëpunimi shumë të fortë, kanë marrë ndihmë rreth 47 mijë persona dhe janë ofruar 98 shërbime”, tha ministrja.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Duke vlerësuar rëndësinë e angazhimit vullnetar, ministrja Sala theksoi se ky model duhet të zgjerohet në të gjithë Shqipërinë, ndërsa përgëzoi të rinjtë për kontributin e tyre dhe i inkurajoi për vijimësinë e këtij angazhimi si një vlerë qytetare dhe humane në shërbim të komunitetit.

Këtë model  duhet ta zgjerojmë më tej nëpër të gjithë Shqipërinë. Ndihma që jepni njerëzve që kanë nevojë është një ndihmë sublime, e pazëvendësueshme. Unë flas dhe nga ana e profesionit, duke qenë se jam mjeke dhe jam më tepër e lidhur me humanizmin ndaj pacientët. Por kjo gjë që po bëni është shumë e bukur. Vazhdoni ta bëni sepse shoqëria ka nevojë, Shqipëria ka nevojë për këtë energji, për këtë kreativitet, por edhe për këtë qasje pozitive ndaj njëri tjetrit dhe ndaj shoqërisë Shqiptare”, theksoi ministrja Sala.

Aktiviteti “Rini në lëvizje – fuqia për të ndikuar” vjen si një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bashkisë Vorë, organizatave lokale të shoqërisë civile me ekspertizë në fushë dhe organizatës Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën (SHKEJ), si pjesë e programit EU4SocialCare dhe ka në fokus fuqizimin e të rinjve përmes përfshirjes aktive në jetën sociale, promovimit të vullnetarizmit dhe zhvillimit të aftësive për angazhim komunitar.

Qendra Multifunksionale përfaqëson një model inovativ dhe të qëndrueshëm të kujdesit social, duke ofruar mbështetje psikosociale, edukative dhe zhvillimore për fëmijët, të rinjtë, nënat dhe familjet në nevojë, ku aktualisht marrin shlrbim rreth 220 fëmijëve, 125 të rinjve dhe 78 prindërve.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb