Pesë netë të suksesshme të Festës së Birrës kanë sjellë gjallëri të jashtëzakonshme në Korçë, ndërsa në qendër të atmosferës ka qenë edhe Shtëpia e Birrës, aty ku historia e birrës Korça ruan dhe përcjell traditën e saj.

Ambientet kanë qenë të mbushura plot gjatë gjithë netëve, me vizitorë vendas e turistë, por edhe me njerëz që rikthehen prej vitesh në Shtëpinë e Birrës për të shijuar birrën e freskët, pikërisht pranë fabrikës ku kjo histori ka nisur.

Muzika, gatimet tradicionale dhe atmosfera festive e kanë kthyer këtë hapësirë në një prej pikave më të rëndësishme të vizitorëve gjatë ditëve të festës.

“Ky vit ka qenë një vit shumë i mirë, kemi pasur shumë vizitorë të huaj amerikanë, francezë, spanjollë edhe nga India. Vijnë edhe 2-3 autobusë nga India.
Atmosfera vijon deri kur është fasha orare, edhe pas orarit të ndalimit të muzikës.
Birra Korça ka 100 vite histori dhe është nga të vetmet në Ballkan që ruan traditën. Një nga gjërat më të pëlqyera është Birra Korça.
Cilësinë Birra Korça nuk e ka prekur asnjëherë, është birrë që pihet direkt në burim”, shprehet Lorenc Nako, administratori i Shtëpisë së Birrës.

Shtëpia e Birrës ka ofruar gjatë këtyre netëve një kombinim të traditës, shijes dhe argëtimit, duke u kthyer në një pol të rëndësishëm për turistët që kanë zgjedhur Korçën si destinacion gjatë kësaj periudhe. Ata shprehen se kanë shumë vite që janë pjesë e kësaj tradite të nisur 20 vite më parë.

Edhe pse Festa e Birrës ka mbyllur pesë netët e saj, festa në Shtëpinë e Birrës vazhdon. Ambientet mbeten të mbushura dhe gjatë gjithë verës, me mijëra turistë që vijojnë të ndalen për të shijuar birrën Korça, gatimet tradicionale dhe atmosferën aty ku historia dhe tradita e birrës vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb