Në përfundim të një seance maratonë, që zgjati më shumë se një orë jashtë orarit zyrtar të punës në gjykatën e Posaçme, trupa vendosi të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-vjehrrën e Ilir Metës, Fatima Kryemadhi dhe dy të pandehurit e tjerë.
Treshja gjykuese që kryesohet nga Etleva Deda do të vijojë shqyrtimin e akuzave për ta, ndërsa dosja për ish-kreun e shtetit Meta dhe ish-politikanen kryemadhi do të rihidhet në short, pasi ata të dy kanë kërkuar përballje të drejtpërdrejtë me dëshmitarët dhe provat e SPAK në seancë dhe do të gjykohet sëbashku.
Seanca e së hënës pati edhe zhvillime të tjera të rëndësishme, siç ishte edhe rrëzimi i kërkesës së kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta për zëvendësimin e masës “arrest me burg” më një masë më të lehtë.
Avokati Kujtim Cakrani i kërkoi gjykatës të reflektojë dhe të lehtësojë masën, me arsyetimin se kanë ndryshuar të gjitha rrethanat.
“Rreziku i intimidimit të dëshmitarëve mbetet spekulativ. Prokuroria thotë që do prishë prova, por se cilat janë provat nuk e thotë. Prokuroria thotë që do të intimidojë dëshmitarët, por nuk thotë se cilët dëshmitarë do të intimidojë.”, tha Cakrani, teksa solli në vëmendje të trupës edhe zbutjen e masës për ish shefen e AKSHIT, Mirlinda Karcanaj.
Prokurori i posaçëm Sotir Kllapi këmbënguli se rrezikshmëria shoqërore e Ilir Metës është evidente për shkak të shtrirjes në kohë që akuzohet se ka kryer veprat penale.
Gjykata e justifikoi vendimin për rrëzimin e kërkesës me faktin se i pandehuri mund të dëmtojë provat apo intimidojë dëshmitarët.
Në vijim, u rrëzua dhe kërkesa për transmetimin live të procesit, me argumentin se cënon jetën private të dëshmitarëve. Ndërsa debate vijoi më kërkesën për nxjerrjen e Ilir Metës nga kafazi i xhamtë. Seanca maratonë ndaj ish-kreut të shtetit, u ndoq nga afër nga disa deputetë të opozitës. Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi po gjykohen për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
