Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pas debatit të krijuar nga mbrojtja politike që mazhoranca socialiste i bëri ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pasi SPAK kërkoi arrestimin e saj.
I ftuar në programin e drekës në News24, Bumçi u shpreh se rasti Balluku është kthyer në një test të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe raportin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Kemi rënien e një ngrehine të shtetit. Çështja Balluku u kthye në një test, vijë të kuqe për integrimin europian. Shqipëria u paralajmërua”, deklaroi ai.
Sipas ish-kryediplomatit shqiptar, reagimi i Gjermanisë ka peshë të veçantë në këtë proces, duke e cilësuar Berlinin si “lokomotivën e Bashkimit Europian”.
“Gjermania është vendi më i rëndësishëm. Edhe një vend i vetëm mund të sjellë pengesa, por në këtë rast kemi vetë lokomotivën e BE-së. Vetë ministri i Jashtëm gjerman ka ardhur në Shqipëri dhe ka dhënë këtë mesazh”, tha Bumçi.
Ai theksoi se çështja nuk lidhet vetëm me një emër të përveçëm, por me mënyrën se si qeveria reagon ndaj hetimeve të drejtësisë.
“Këto çështje kthehen në test për sistemin e drejtësisë”, u shpreh Bumçi, duke nënvizuar se mbështetja politike ndaj ish-zyrtares së lartë mund të ndikojë negativisht në rrugën europiane të vendit.
