Qeveria ka miratuar një vendim të ri që parashikon kompensim financiar për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, në kushtet e situatës së veçantë në tregun hidrokarbur.
Vendimi i firmosur nga Kryeministri Edi Rama dhe i propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave, parashikon një subvencion prej 50 lekësh për litër karburanti për një periudhë tre mujore: mars, prill dhe maj 2026.
Sipas aktit të miratuar në Këshilli i Ministrave, kompensimi do të llogaritet mbi sasinë e konsumuar të karburantit gjatë kësaj periudhe, por jo më shumë se konsumi i regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2025 për secilin subjekt përfitues.
Efektet financiare të këtij vendimi arrijnë në 250 milionë lekë, të cilat do të mbulohen nga fondi rezervë i shtetit dhe buxheti i Bashkisë Tiranë, në varësi të linjave të transportit.
Për linjat qytetëse të kryeqytetit, financimi do të përballohet nga Bashkia Tiranë.
Shoqëritë e transportit do të duhet të paraqesin kërkesë mujore pranë administratës tatimore, duke përfshirë licencën e vlefshme, të dhënat bankare (IBAN), si dhe faturat e furnizimit me karburant për periudhat përkatëse.
Në rastet e subjekteve që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera përveç transportit, kërkohet edhe vetëdeklarim i sasisë së karburantit të përdorur për shërbimin e transportit, si dhe dokumentacion shtesë mbi përdorimin e mjeteve.
