Një rast tronditës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka përfunduar me dënim maksimal për një grua nga Utah, e cila u shpall fajtore për vrasjen e bashkëshortit të saj duke e helmuar me fentanil, si dhe për një sërë veprash të tjera penale.
Cory Richins është dënuar me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht, pasi një juri e shpalli fajtore për vrasjen e bashkëshortit të saj në vitin 2022. Sipas hetimeve, ajo i kishte hedhur fentanil në pijen e tij, duke i shkaktuar vdekjen në banesën e tyre pranë zonës së Park City. Prokuroria tha se motivi lidhej me probleme financiare, përfshirë borxhe të mëdha dhe policat e sigurimit të jetës në emër të viktimës.
Gjykata dëgjoi gjithashtu se ajo kishte përfituar nga sigurimi i jetës i bashkëshortit, i cili kapte vlerën e miliona dollarëve, ndërsa gjatë procesit u zbuluan edhe lidhje jashtëmartesore të të pandehurës. Gjatë shpalljes së dënimit, gjykatësi Richard Mrazik deklaroi se krimi e bënte të pandehurën “shumë të rrezikshme për t’u liruar ndonjëherë”.
Në një deklaratë emocionale para gjykatës, Richins iu drejtua fëmijëve të saj, duke shprehur keqardhje dhe duke thënë se do të ishte gjithmonë e gatshme për ta kur ata të ishin gati të flisnin me të. Rasti u bë edhe më i diskutueshëm pasi ajo kishte botuar më herët një libër për fëmijë me titull “Are You With Me?”, i cili supozohej të ndihmonte të miturit të përballonin humbjen e një prindi, dedikuar pikërisht bashkëshortit të saj.
Prokurorët zbuluan gjithashtu se gruaja ishte shpallur fajtore edhe për tentativë vrasjeje në një incident të mëparshëm, ku kishte tentuar të helmonte bashkëshortin përmes ushqimit. Richins u arrestua në vitin 2023, vetëm pak muaj pas publikimit të librit të saj, i cili fillimisht ishte promovuar si një mesazh ngushëllimi për familjet që përballen me humbjen e një të dashuri.
