Deputeti Enno Bozdo në fjalën e tij në Kuvend, ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të naftës.
Ai theksoi se situata është shumë më tepër dramatike dhe se duhet të ishin marra masa për të mbështetur qytetarët. Gjithashtu theksoi se qeveria mbështet jahtet.
“Krizës duhet t’i paraprihet. Nëse thoni se nuk kemi krizë, kur gjithë bota e quan krizë, jam i mahnitur nga qetësia dhe perceptimi juaj për krizën. Por çmimet e naftës të rritura, sot , nesër apo pasnesër do japin efektin zinxhir në gjithë ekonominë. Dhe veçanërisht në situatën ku është Shqipëria, 60 % e çmimit të naftës përbëhet nga taksa që e merrni ju, në një kohë që rajoni e ka 38 % mesataren pikërisht për këtë ju keni detyrë t’i jepni këtyre njerëzve diçka mbrapsht. Përse e bëni për jahtet, përse ata që furnizohen këtu pa taksa akcize? Sa jahte janë furnizuar? Sa qindra, mijëra litra apo ton naftë furnizohen pa akcizë…”, tha ai.
