Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar neutralizimin e Abu Bilal al-Minuki, i cili sipas autoriteteve amerikane konsiderohej numri dy i ISIS-it në nivel global dhe një nga terroristët më të kërkuar në botë. Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se operacioni u realizua nga forcat amerikane në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Nigerisë, pas një aksioni të koordinuar ushtarak dhe inteligjent.
“Sonte, nën komandën time, forcat e guximshme amerikane dhe Forcat e Armatosura Nigeriane ekzekutuan pa asnjë problem një mision të planifikuar me kujdes dhe shumë kompleks për të eliminuar terroristin më aktiv në botë nga fusha e betejës”, shkroi Trump. Sipas presidentit amerikan, Abu Bilal al-Minuki, i cili paraqitej si zëvendëskryetar global i ISIS-it, kishte tentuar të fshihej në Afrikë, duke besuar se mund t’i shpëtonte ndjekjes së agjencive amerikane të inteligjencës.
“Ai besonte se mund të fshihej në Afrikë, por nuk e dinte se ne kishim burime që na mbanin të informuar për çdo lëvizje të tij”, deklaroi Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se eliminimi i al-Minukit përbën një goditje të rëndë për operacionet ndërkombëtare të ISIS-it, duke shtuar se ai “nuk do të terrorizojë më popujt e Afrikës dhe as të ndihmojë në planifikimin e sulmeve kundër amerikanëve”. Në fund të reagimit të tij, Trump falënderoi publikisht qeverinë e Nigerisë për bashkëpunimin në operacion, ndërsa e mbylli mesazhin me frazën: “Zoti e bekoftë Amerikën”.
