Jonas Vingegaard dha një sinjal të fortë në etapën e shtatë të Xhiros së Italisë, duke fituar në ngjitjen e famshme të Blockhaus dhe duke konfirmuar statusin e favoritit kryesor për triumfin final në Romë.

Danezi i skuadrës Visma dominoi rivalët në ditën e parë të rëndësishme malore, ndërsa Eulalio arriti të ruajë fanellën rozë, edhe pse diferencat tashmë po bëhen shqetësuese për liderin e përgjithshëm. Ekipi Visma tregoi superioritet të plotë gjatë ngjitjes finale. Fillimisht kontrollin e ritmit e mori Red Bulli, por sapo Sepp Kuss hyri në aksion për të ndihmuar liderin e tij, gara ndryshoi krejtësisht.

Sulmi i parë i Vingegaard la pa reagim shumicën e favoritëve, ndërsa vetëm Giulio Pellizzari tentoi t’i qëndronte pranë danezit, por rezistoi shumë pak. Një paraqitje të shkëlqyer zhvilloi edhe Felix Gall, i cili përfundoi vetëm 13 sekonda pas fituesit dhe ishte i vetmi që arriti të kufizonte humbjet. Jai Hindley u rendit i treti, ndërsa Enric Mas dhe Egan Bernal humbën shumë kohë në ngjitjen e fundit. Çiklisti i Movistar mbërriti në finish plot 5 minuta e 47 sekonda pas Vingegaard, duke dalë praktikisht jashtë garës për podiumin. Eulalio e përfundoi etapën me 2 minuta e 55 sekonda vonesë, por vazhdon të mbajë kreun e renditjes së përgjithshme.

Megjithatë, diferenca ndaj Vingegaard po zvogëlohet dhe kronometri i ardhshëm mund të sjellë ndryshime të mëdha në klasifikim. Etapa nisi me një shkëputje ku protagonist ishte Jonathan Milan, i cili kërkoi pikë për fanellën çiklaminë. Bashkë me të u shkëputën Diego Pablo Sevilla, Nickolas Zukowsky, Jardi van der Lee dhe Tim Naberman. Grupi arriti deri në gjashtë minuta avantazh, por u neutralizua gjashtë kilometra nga fundi, sapo rruga nisi të pjerrësohej.

Me këtë fitore, Jonas Vingegaard tashmë ka triumfuar me etapa në të tre Turet e Mëdha dhe po jep sinjale se mund ta dominojë këtë Xhiron. Sot do të jetë radha për etapën e tetë e Xhiros, Chieti-Fermo, në një itinerar prej 156 kilometrash. Pjesa e parë është kryesisht e sheshtë, por finalja teknike dhe e mbushur me “mure” të shkurtra e të pjerrëta premton spektakël për aventurierët dhe specialistët e etapave të mesme malore.23

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb