Ndërsa BE ka shprehur shqetësime dhe ka kërkuar rishikimin e ligjeve që lidhen me investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura, qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime në procedurat për administrimin, dhënien me qira dhe privatizimin e pronave shtetërore. Me dy vendime të miratuara së fundmi, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregulla të reja për pasuritë shtetërore që përdoren nga investitorët, përfshirë edhe ato që ndodhen në zona me përparësi për zhvillimin e turizmit apo në zona të mbrojtura mjedisore.
Sipas vendimeve të qeverisë, kur një pasuri shtetërore ndodhet në zona të mbrojtura ose në zona me përparësi zhvillimin e turizmit, propozimi për lidhjen e kontratës me tarifë simbolike 1 euro bëhet me bashkëpropozim mes institucionit që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore dhe institucionit përgjegjës për administrimin e këtyre zonave.

Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu kushtet për kalimin në procedurën e privatizimit të pronave të marra me qira ose enfiteozë nga investitorët.
Për kontratat që lidhen për pasuri me sipërfaqe trualli mbi 500 metra katrorë, nëse subjekti qiramarrës ose enfiteozëmarrës realizon investime mbi 150 % të vlerës së truallit, në përputhje me planin e biznesit dhe respekton kushtet e kontratës, atij i lind e drejta të njoftojë ministrinë përgjegjëse për ekonominë për hyrjen në procedurën e privatizimit, me të drejtë parablerjeje të objektit të kontratës.

Në rastet kur investimi i realizuar arrin mbi 750 % të vlerës së truallit, subjekti mund të kërkojë hyrjen në procedurën e privatizimit edhe pa u përmbushur afati trevjeçar i kontratës së qirasë ose enfiteozës. Kjo bëhet pasi të jetë verifikuar realizimi i investimit përmes një raporti vlerësimi nga ekspert vlerësues dhe auditues ligjor i pavarur dhe pasi të jenë respektuar kushtet e kontratës.
Me ndryshimet e miratuara, qeveria përcakton procedura të reja për dhënien me qira, përdorimin dhe privatizimin e pronave shtetërore nga subjektet që realizojnë investime.

Vendimet e reja të qeverisë vijnë në një kohë kur Bashkimi Europian ka kërkuar ndërhyrje në legjislacionin shqiptar për investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura, në kuadër të procesit të integrimit europian.
