Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Boston, pasi kamerat e sigurisë kanë filmuar momentet dramatike kur një burrë 40-vjeçar, baba i dy fëmijëve, mbeti i bllokuar në shkallët lëvizëse të metrosë dhe humbi jetën pas disa ditësh në spital. Viktima, i identifikuar si Steven McCluskey, po zbriste nga shkallët lëvizëse më 27 shkurt, kur sipas Autoritetit të Transportit të Gjirit të Massachusetts (MBTA), një pjesë e rrobave të tij u ngec në mekanizëm.

Pamjet e publikuara së fundmi kanë shkaktuar zemërim të madh, pasi tregojnë se dhjetëra kalimtarë kaluan pranë tij pa ndërhyrë. Në video, 40-vjeçari shihet i rrëzuar dhe i bllokuar në shkallët lëvizëse, ndërsa disa persona kalojnë indiferentë, të tjerë ndalojnë për pak çaste, por askush nuk i jep ndihmë.

Sipas MBTA-së, një punonjës i metrosë arriti të ndalonte shkallët lëvizëse vetëm pas 22 minutash dhe më pas kërkoi ndihmë emergjente. Rrobat e McCluskey-t kishin mbetur të bllokuara nën mekanizëm, duke i shkaktuar bllokim të frymëmarrjes në zonën e qafës.

Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, ata nuk konstatuan puls. U deshën edhe rreth 30 minuta të tjera për ta nxjerrë nga shkallët lëvizëse dhe për ta transportuar në spital. Ai ndërroi jetë dhjetë ditë më vonë, gjatë muajit mars. Familjarët e viktimës vijojnë të kërkojnë përgjigje për ngjarjen tragjike. Nëna e Stevenit ngriti pikëpyetje të forta për mungesën e reagimit dhe masave të sigurisë në stacion. “Ku ishte siguria? Ku ishin barrierat e kuqe që duhet të jenë në çdo kat gjatë gjithë orarit të funksionimit? Si ka mundësi që në një stacion të mbushur me njerëz askush nuk ndalet dhe askush nuk e ndihmon?”, u shpreh ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: