Napoli po jeton orë vendimtare për të ardhmen e pankinës. Pas konfirmimit të largimit të Antonio Contes në fund të sezonit, presidenti Aurelio De Laurentiis ka nisur menjëherë lëvizjet për të gjetur trajnerin e ri të skuadrës kampione të Italisë.
Emri i parë në listën e klubit është Maurizio Sarri. Trajneri toskan, që pritet të largohet nga Lazio, konsiderohet profili ideal për të hapur një cikël të ri në “Diego Armando Maradona”. Napoli i ka ofruar një kontratë dyvjeçare me vlerë rreth 2.5 milionë euro në sezon, ndërsa përgjigjja përfundimtare pritet në orët e ardhshme.
Por konkurrenca është e fortë. Në garë për Sarri-n është futur edhe Atalanta, e shtyrë nga drejtori sportiv Cristiano Giuntoli. Dy projekte të ndryshme, dy skuadra ambicioze dhe një vendim që mund të ndryshojë ekuilibrat e Serie A.
Ndërkohë, De Laurentiis nuk dëshiron të humbasë kohë dhe ka aktivizuar menjëherë planin alternativ: Massimiliano Allegri. Ish-trajneri i Juventusit mbetet një nga profilet më të vlerësuara nga presidenti i Napolit dhe kontaktet mes palëve janë intensifikuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit.
Megjithatë, pista Allegri mbetet e komplikuar. Trajneri lidhet ende me Milanin me një kontratë të rëndësishme ekonomike dhe situata e tij do të varet edhe nga objektivat sezonalë të kuqezinjve, veçanërisht nga kualifikimi në Champions League.
Napoli po lëviz me shpejtësi, ndërsa tifozët presin me padurim emrin që do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ardhshëm. Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e stolit blu.
