Sezoni i rregullt në Kategorinë Superiore u karakterizua nga një numër i madh ndryshimesh në pankina, duke konfirmuar edhe një herë se trajnerët vazhdojnë të jenë “viktimat” e para të rezultateve negative. Nga java në javë, shumë klube vendosën të ndryshonin drejtimin teknik në përpjekje për të shpëtuar sezonin apo për të rikthyer skuadrat në garë për objektivat.
Kategoria Superiore e këtij sezoni nisi me ndryshime të hershme në pankina dhe përfundoi me të njëjtën panoramë, duke konfi rmuar edhe një herë se trajnerët mbeten më të rrezikuarit në futbollin shqiptar. Në total, disa skuadra ndryshuan drejtues teknik gjatë kampionatit, ndërsa vetëm pak klube i qëndruan besnike projektit të nisur në fi llim të sezonit.
FAZA 1 – Lëvizja e parë erdhi shumë shpejt te Tirana. Pas vetëm dy javësh kampionat, bardheblutë larguan Vangjel Milen. Humbja 1-3 ndaj Vorës rezultoi fatale për trajnerin, i cili e mbylli aventurën me vetëm 0.5 pikë për ndeshje dhe 55 ditë në detyrë. Në vend të tij erdhi Roberto Bordin, por as italiani nuk arriti të ndryshonte situatën.
DERBI I PARTIZANIT – Vetëm katër javë më vonë, edhe Partizani bëri ndryshimin e parë në pankinë. Mladen Milinkoviç u largua pas gjashtë javësh, me të kuqtë që ndodheshin në vendin e nëntë dhe me vetëm 0.67 pikë për ndeshje. Humbja 0-3 në derbi ndaj Tiranës i dha fund aventurës së tij, ndërsa drejtimin e skuadrës e mori Oltion Kërnaja. Në të njëjtën javë ndryshime pati edhe te Flamurtari. Spanjolli Karlos Garcia u shkarkua pas vetëm gjashtë ndeshjesh, me skuadrën në fund të renditjes dhe me mesataren më të dobët të sezonit, vetëm 0.33 pikë për takim. Humbja 0-2 ndaj Dinamos vulosi largimin e tij, ndërsa në pankinë u rikthye Françesko Moriero.
TIRANA 3 – Kriza vazhdoi edhe te Tirana. Pas nëntë javësh në krye të skuadrës, Roberto Bordin u largua pas humbjes së rëndë 1-4 ndaj Elbasanit. Bardheblutë mbetën në vendin e nëntë dhe drejtimin e mori Ardian Nuhiu, në përpjekje për të rikthyer stabilitetin dhe rezultatet.
VLORA – Ndërkohë, Flamurtari vazhdoi të kishte probleme gjatë sezonit. Françesko Moriero, i rikthyer më herët në pankinë, u largua pas javës së 24-t, me skuadrën ende në vendin e nëntë dhe me vetëm 1 pikë për ndeshje. Pas barazimit 1-1 ndaj Dinamos, drejtimin e ekipit e mori Andi Ribaj.

TIRANA 4 – Një nga surprizat më të mëdha të sezonit erdhi në javën e 25-të. Tirana vendosi të shkarkojë edhe Ardian Nuhiun pas humbjes 0-1 ndaj Teutës. Bardheblutë vazhdonin të mbeteshin në vendin e nëntë dhe klubi ia besoi skuadrën Orges Shehit, i cili më pas arriti ta ngjisë ekipin në vendin e gjashtë.
TETOVA – Vetëm tri javë më vonë ndodhi një tjetër lëvizje e bujshme. Egnatia ndërpreu bashkëpunimin me Edlir Tetovën, trajnerin më jetëgjatë në Superiore dhe një nga arkitektët kryesorë të suksesit të klubit. Tetova u largua pas 1192 ditësh në krye të skuadrës, duke e lënë Egnatian në vendin e tretë me një mesatare prej 1.81 pikësh për ndeshje. Barazimi 0-0 ndaj Vllaznisë ishte ndeshja e fundit e tij, ndërsa në pankinë erdhi Nevil Dede.
FUNDI – Në javën e 33-të erdhi edhe ndryshimi te Partizani. Oltion Kërnaja u largua me të kuqtë në vendin e pestë dhe me 1.6 pikë për ndeshje. Barazimi 2-2 ndaj Tiranës rezultoi vendimtar për fatin e tij dhe klubi mbeti përkohësisht pa një zgjidhje afatgjatë në pankinë. Ndryshimi i fundit i sezonit ndodhi te Teuta. Enkeleid Dobi u largua pas javës së 34-t, duke mbyllur një eksperiencë 306-ditore në krye të durrsakëve. Humbja 0-1 ndaj Tiranës rezultoi fatale për trajnerin, me skuadrën që ndodhej në vendin e shtatë dhe me një mesatare prej 1.12 pikësh për takim.
Në fund, sezoni tregoi qartë dy fi lozofi të ndryshme në futbollin shqiptar. klubet që kërkuan shpëtimin përmes shkarkimeve të shpeshta dhe skuadrat që i besuan vazhdimësisë. Dhe jo rastësisht, ekipet që ruajtën stabilitetin rezultuan më të organizuara dhe më pranë objektivave të tyre.
