Pas takimit që pati në Sarandë Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari lidhur me problematikën e ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike, që cuan edhe në arrestimin e shefit të komisariatit, është larguar ndërkohë nga detyra edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të IKMT-së së Vlorës Elton Caslli.
Ky i fundit mësohet se ka dhënë dorëheqjen pas fillimit të procedurës për marrjen e masave administrative nga IMT qendrore si shkak i mos ushtrimit të detyrave funksionale me pasoja në territor.
Gjithashtu, mësohet se është inicuar procedura disiplinore edhe për Përgjegjësin e Sektorit të Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale të Vlorës Xhovalin Hoxhaj.
Gjatë takimit në Sarandë, Ministri i Punëve të Brendshme bëri një apel të qartë për strukturat e Policisë së Shtetit, IKMT dhe IMT sa i përket zbatimit të ligjit.
“Dilni për Zot përgjegjësisë, që ju është dhënë. Ne nuk mund të lejojmë të cënohet diçka që është më e madhe. Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional. Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë një vijë e kuqe”, tha ministri Lamallari gjatë fjalës së tij.
